Humnerat dhe majat e shpirtit ishullor në Enciklopedinë Imagjinare të Bajram Kosumit
Nga Ismail Syla
Vështrim eseistik për librin e Bajram Kosumit “Enciklopedia Imagjinare, postroman”, Toena, 2023, Tiranë
NË VEND TË HYRJES – Në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe ekziston fjala çanësim, për fjalën përkufizim, definicion . Nëse do ta çanësoja librin e Bajram Kosumit me një titull të ri atëherë do të thosha “Bibla e Kosumit, ngase, sipas mendimit tim “Enciklopedia Imagjinare” është projekt pretendues biblik. Nëse do t’i përgjigjeshe një pyetjeje klishe të anketës se cilin libër të vetëm do ta merrje në një ishull a planet, pa mëdyshje nga letërsia shqipe do ta merrja “Enciklopedinë”. Nëse ndodh kataklizmi, ose ai akti i tipit barabar të djegies së bibliotekës së Aleksandrisë, në mesin e një krah librash për veten time do ta shpëtoja edhe “Enciklopedinë Imagjinare” të Kosumit. Nëse do të zhbëhej etnografia dhe etnologjia, letërsia shqiptare, them se mjafton të shpëtojë “Enciklopedia”. Nëse në romanin “Kronikë në gurë” ku gjithë qyteti është i bërë prej pllakave të gurit, themelet, muret, kulmet, Kadare na jep mishin e butë të jetës, në “Enciklopedi” frymon qenia shqiptare e Kosovës, fytyra e përjetshme e njeriut të saj në të gjitha përmasat jetësore dhe historike: ekzistenca e tij, robëria, qëndresa, lufta për liri, por edhe marrëzia, kotësia, paradoksi dhe të gjitha trajtat e shpërfaqjes së karakterit dhe psikologjisë së tij.
Në këtë vështrim eseistik preken tema dhe motive vetëm të 13 tregimeve, ndërkaq “Enciklopedia” na ofron motive dhe ide pafund.
DY HUMNERA DHE NJË NDËSHKIM KOSUMIAN
- Kolonoizimi dhe tjetërsimi i tokave shqiptare.
Idenë e dështimit të projekteve serbomëdha të të gjitha kohëve autori B. Kosumi e jep përmes tregimit “Koloni serb i shekujve XIX-XX”.
Përmes fatit tragjik të brezave të familjes së Vasojeviqëve, një fis malazez, jepet fundi katastrofik i ëndrrës së “popullit qiellor” që pretendoi të kolonizojë toka të huaja, të Kosovës, Vojvodinës, Peshterit, Maqedonisë dhe të Kroacisë.
Atë që e fiton me pushkë, për herë të parë, pra shtëpinë, mullirin dhe kumbulloren e përmendur të një shqiptari në Prokupje (ligjërim vërtet epik i Kosumit: me pushkë), dhe më tutje shtëpi, ara, kopshtije, e toka të tjera në Vojvodinë, në Llap, e deri edhe në kufirin me Shqipërinë, në Jasiq, brez pas brezi, vjen koha kur i humbin radhazi.
Në fund, epilogu i Vasojeviqadës, i sagës së tyre, i atyre që u përdorën si marioneta, herë si kriminelë e herë si viktima, për të realizuar projektin e Serbisë së Madhe, është një fat tragjik: jo më një shtëpi, por as për varr nuk e kanë një vend.
Kështu, postulatin e njohur se një popull që robëron një tjetër komb ose popull, në njëfarë mënyre e robëron vetveten, që është frazë proverbiale, Bajram Kosumi e zhvillon në këtë tregim duke vënë pah dy anë të medaljes, çmitizimin e konceptit serb se Kosova është zemër e Serbisë, nga njëra anë dhe të vërtetën nga ana tjetër që Kosova ishte edhe ferr i Serbisë.
- Asgjësimi kulturor, zhbërja e trashëgimisë dhe historisë.
Një ideologji tjetër e zhbërjes ishullore (ballkanase dhe më gjerë) paraqitet në tregimin “Arkitektura midis luftërave” përmes kompanisë urbicide greke “Fardis Company”, e udhëhequr nga Nikollas Fardis, gazetar dhe politikan me ide kulturocide.
Fardistët janë personifikimi i kompanisë e cila kryen punë praktike për secilën politikë apo qeveri kulturocide. Kjo kompani vrau, rrënoi dhe asgjësoi trashëgiminë pesëqind vjeçare të perandorisë osmane në Athinë, 720 fshatra shqiptare të Toplicës (1878 – 1900) varrezat Hebreje në Selanik dhe projekte të tjera të ngjashme.
Kontratën e fundit kjo kompani e bëri me regjimin e Milosheviqit më 1999, për ndryshimin e arkitekturës së Kosovës pa shqiptarë, por që dështoi keq. Kosova nuk u zhbë. Shefi i krimeve serbe në Kosovë u burgos, ndërsa pronari I kompanisë u vra në një atentat në Prishtinë.
- Ndëshkimi estetik.
Derisa në “Kolonin serb… ” Kosumi, në fund të tregimit, nuk e kursen epitetin “fisi trim” për Vasojeviqët, pra për kolonistin që merr shtëpitë e tokat e huaja dhunshëm, sipas parimit homerik se trojanët janë karaktere të forta po aq sa grekët, por, ai nuk i fal as mëshiron ideatorët, projektuesit, zbatuesit dhe përbindëshat e krimeve, vrasjeve dhe të gjenocidit, të personifikuar me kriminelin e luftës Radovan Karaxhiq, të cilin, veçan nga Gjykata e Hagës, narratori e ekzekuton metaforikisht në mënyrën më mizore në Paris, në një garë ndërkombëtare për zgjatjen e vdekjes, te tregimi “Panairi i zgjatjes së vdekjes”.
Në këtë tregim tema, motivet dhe personazhet globalizohen, ndërsa ligjërimi merr shprehësi të një raporti juridik. Aty vihen përballë dy kultura, perëndimore dhe ajo lindore, kristiane dhe ajo muhamedane, evropiane dhe ajo osmane, të cilat maten në mjeshtërinë e mbytjes së viktimave, duke ua zgjatur vdekjen dhe torturat: ai xhelat që e zgjatë më shumë vdekjen në tortura mizore, e merr kurorën e fituesit.
Ky tregim ka një ligjërim të kristaltë. Gjatë leximit nuk neveritesh dhe as pështirosesh, shenjë e zotërimit artistik të së keqes, si dukuri morale, por nënshtruar me ligjet e estetikës.
NJË MAJE SUBLIME E KULTURËS SHQIPTARE
Si antipod i këtij modeli kulturë-vrasës në “Enciklopedi” qëndron tregimi “Kodiku i Purpurt i Beratit”. Tregim me rrjedhë kristali. Tregim homazh dhe monumental për dashurinë dhe përkushtimin e shqiptarit për kulturën, formën më sublime të shoqërisë njerëzore.
Banorët e Beratit, në radhë të parë udhëheqësit dhe priftërinjtë me zemër të fortë, moral të lartë dhe besim të pastër, me shekuj ruajtën Kodikun e Purpurt të Beratit, shkruar me dorën e Shën Gjon Gojartit apo Gojëmjaltit, si e kanë quajtur. Pati shumë fushata të huaja e të brendshme për të rrëmbyer Kodikun, shumë luftra, ekzekutime, kontrolle e rrënime të varreve e të kishave, por Kodiku u ruajt në duart e beratasve për shekuj me radhë.
Si në një film, autori përshkruan sprovat e këtyre heronjve të kulturës. Ata dhe me dorën mbi Bibël thonë të pavërtetën, duke e ditur se ajo e pavërtetë pranohet nga zoti, ngjashëm, por në kontekst tjetër, me deklaratën e famshme të Galileut për Tokën, që nuk sillet rreth Diellit – thënë publikisht,- E, megjithstë, sillet, – thënë me zërin e brendshëm.
Përmes tregimit për “Kodikun…” Bajram Kosumi e ngre lart, në mision historik e filozofik, vetëdijen iluministe shqiptare për kulturën. Kjo është njëa nga majat në këtë “Enciklopedi”.
FYTYRA DHE NATYRA E DIKTATURËS DHE DHUNËS
Në pafundësinë e temave dhe motiveve që përmban “Enciklopedia imagjinare” vend të rëndësishëm me prurje estetike dhe teorike janë tregimet te “Libri për pesë Mariet”. Ky është korpusi i pesë tregimeve për fatin e gruas në shekullin XX.
Tri Marie kanë lidhje të drejtpërdrejtë me natyrën dhe fytyrën e diktaturës. Marie Shllaku me diktaturën serbe komuniste në fund të luftës së Dytë Botërore, kur Kosovës iu vazhdua pushtimi, Marie Kokollari me diktaturën shqiptare, Marie Jorgiqi,serbe, shembulli më unik i urrejtjes dhe luftës së klasave, kur digjet e gjallë me foshnjën në bark nga komunistët serbë më 1948. Ndërkaq dy Mariet tjera, këngëtarja dhe gruaja e të burgosurit politik, janë viktima të një forme tjetër të diktaturës, epja pas gjenisë muzikore – Marie Krasniqi, dhe vuajtjet epike të Marie K., e cila me besnikëri dhe sakrificë përballon, jo veç vuajtjet për burrin në burg, për demonstratat e vitit 1981, por edhe rropatjet me rrethin ku jeton.
Tregimet për tri Mariet, krahas librit “Jetë burgu” të Fatos Lubonjës, janë ndër prozat më cilësore dhe më të arrira estetikisht në letërsinë shqipe me temën e burgut dhe motivin e vuajtjes dhe qëndresës.
Vuajtjet dhe përjetimet e jetës brenda mureve të burgut të Marie Kokollarit përkojnë me filozofinë dhe vrojtimet psikologjike të personazhit të Alber Kamysë, Mersosë, i cili pret ditët, orët dhe sekondat deri në çastin e shkuarjes nën gijotinë. Tërë kalvarin e burgut monoton, paradoksal dhe vrastar të modelit të diktaturës shqiptare, Kosumi e jep përmes mentronomit, instrumentit ndihmës të pianos, i cili mat kohën e ritmit muzikor, e në këtë tregim shndërrohet në simbol të matjes së çdo sekonde, simbol i përjetimit të vetëdijshëm të çdo çasti të burgut, pa u nënshtruar.
Klithma e Marie Jorgiqit, e dhunuar, e lidhur dhe në fund e ndezur me benzine, nga komunistët e Titos, është klithmë e dyfishtë e qenies njerëzore, sepse brenda trupit i digjet edhe foshnja, ndërkaq mizoria, sadizmi dhe natyra destruktive, barbare e ekzekutorëve është e pafund. Kjo mizori është shfryrë mbi një shekull mbi banorët e Gumurit kosumian, që në forma të ndryshme është shtjelluar në zëra të shumë në “Enciklopedi”.
Ndër prozat më të bukur të temës së diktaturës është ajo me titullin sinjifikativ “Kampi”. Është metafora më e mirë për epilogun e diktaturës së Milosheviqit. Në muret e ndërtesës së komunës shkruhen inicialet K.R (Kosova Republikë). Pason ngjyrosja, për ta fshirë, pastaj ajo shkruhet përsëri, përsëri fshihet, por vendosen edhe rrethoja, telat mbi rrethojë dhe në fund edhe rojet e armatosura rreth e rreth komunës. Sa herë shkruhet K.R., pason një rrethojë më e madhe.
Kur lexuesi pret që dy nistoret e famshme, tmerruese për regjimin, të shkruhen nga dikush brenda, si shenjë e këmbëngulësisë së njeriut që kërkon lirinë, tregimi përfundon. Që të kuptohet ideja dhe porosia e tregimit, ndihmon poetika e kurthit të titullit:
Kampi ”kampi”. Komuna u bë kamp përqendrimi. Regjimi i Millosheviqit Kosovën nuk arriti ta nënshtrojë edhe kur e bëri kamp përqendrimi, përkundrazi. Në këtë pikë, Kosova këputi prangat. Ato zunë vend në duart e diktatorit serb.
FARKIMI I REZISTENCËS
Një ndër motivet bazike të Enciklopedisë është ai i farkimit të qëndresës së heroit shqiptar, të njeriut shqiptar. Ndër më të realizuarit, sipas mendimi tim janë tregimet “Gjuha dhe krimi”, “Beqa i Shahiqëve”, “Marie K.”
Në tregimin e parë del në shesh vendosmëria e të burgosurit politik, personazh real jetësor, Isa Demaj, i cili refuzon të flas serbisht me anëtarët e familjes, gjatë vizitave në një burg në Serbi. Dhe, kjo zgjatë pesë vjet. Edhe dhuna, edhe dënimi, edhe burgu i heroit shqiptar flet serbisht. Edhe ai flet me ta serbisht. Por, jo me familjen e tij.
Ai është i gatshëm të debatojë pafundësisht në këtë gjuhë me administratorët serbë, lexon libra në këtë gjuhë, por ka një mur të patejkalueshëm: nuk mund ta thërras nënën “Nënë” në gjuhën që vetë atë e burgos dhe popullin e tij e mban në burgun qindvjeçar të robërisë.
Po aq motiv kundërshtimi, ku mprehet dhe farkohet ideja e qëndresës, gjendet të personazhi tjetër, një njeri fare i rëndomtë, Beqa i Shahiqëve, që në kohën e dëbimit, zbuarjes së shqiptarëve nga institucionet pas 3 shtatorit 1990, hap një çajtore, në të cilën punon pa fitim. Nuk është esencial përfitimi. Aty tubohet elita e ekskomunikuar shqiptare. Aty mbahet dhe qëndron i panënshtruar njeriu i Kosovës.
Autori e mbyll tregimin me sa ironi, aq edhe me sarkazëm, me sa grotesk, aq me heroizëm të njeriut të rëndomtë, por të ndershëm në çdo qelizë: në Kosovën e lirë, kur festohet njëvjetori i çlirimit Beqa mbetet po ai, njeri i zakonshëm dhe në fund të stadiumit ku mbahej manifestimi. Atij nuk ia sigurojnë një ulëse te pjesa e kontribuuesve të lirisë. Askush nuk e llogaritë kontributin e tij me çajtoren.
Ama autori nuk i hyn në hak. Dhe ka të drejtë: pa dyshim, ndër të parët meritorë do ta kishte vendin edhe Beqa i Shahiqëve, njeriu bazë, humusi i kombit, i cili në çajtoren e tij të mjerueshme tuboi për disa vjet elitën e çekuilibruar të Ishullit.
Maria e Pestë, Marie K. është figura monumentale e gruas së të burgosurit politik. Kushdo nga gratë e kësaj kategorie sociale e lexon këtë tregim e gjen vetveten aty. E gjej unë aty nënën time, motrat e mia, i gjej familjet e ish të burgosurve politikë. Në kulmin e bojkotimit, në kulmin e ashpërsimit të qëndrimeve të pushtetit jugosllav dhe serb ndaj të burgosurve që prishën mitin e vëllazërim bashkimit dhe të parajsës socialiste, mbi gratë dhe familjen binte barra e rëndë e pasojave. Izolimi, leçitja, ballafaqimi me karakteret labile dhe të frikësuara përreth, identifikimi me stigmën “armiq të popullit”, për gratë e të burgosurve dhe familjet e tyre ishin sprova që përgjithësisht u përballuan me sukses.
Familja si bërthamë e shëndoshë ishte forcë morale për të burgosurit politikë. Ky është besimi i patundur, thuajse i verbër, thuajse mitik, në vizionin e lirisë, edhe atëherë kur ajo as nuk dukej gjëkundi. Në letrën 82/90 (fq. 610) gjejmë një motiv të këtij besimi mitik: kur fqinja pro-pushtet e pyet Nënën Shahë, e cila ka dy djem në burg për Republikën, se si i ke djemtë, ajo i përgjigjet: “Si rrezja! Tha edhe zoti ka me ju ndihmue, e kanë me dalë faqebardhë për atë punë për çka janë në burg.”
Jeta e Marie K., pas burgosjes së burrit të saj, Albanit, në vitin 1981, përkushtimi i saj për burrin e burgosur, personalizimi i vajzës së tyre të sapolindur pas burgosjes, Liridonës; betimi i Mjellmes se nuk do të qesh më kurrë në jetë, pas vrasjes së vëllait të saj në demonstratat e atij viti; kënga dasmore në shtëpinë e Nënës Naile, në të cilën motrat i këndojnë vëllait të burgosur, Latës, i dënuar me shtatë vjet burg, dhe pritjes po aq vjet të të fejuarës, Mirvetit, të gjitha këto janë elemente të zakonshme, të përditshme, por thelbësore dhe monumentale, në të cilat farkohet liria dhe rezistenca shqiptare për liri.
RRJETA E RRJETËZUAR E NARRACIONIT OSE POETIKA E FUSNOTËS FERTILE
Në tregimin “Panairi i zgjatjes së vdekjes në Paris” autori I intertekstualizon dy libra të tjerë: personazhin e Robert Francois Minot nga Mishel Fuko-s, te Lindja e burgut/disiplinë dhe ndëshkim, dhe Ura mbi Drinë të Ivo Andriqit, të cilin, në fund, e ironizon në Fusnotën 3, si mjeshtër më i mirë në përshkrimin e dhunës çnjerëzore.
Për të kuptuar më mirë mjeshtërinë e veçantë krijuese të Kosumit në Enciklopedi, mund të na shërbejë si model ky tregim. Deri sa në përshkrimin e torturave të kampit osman ai intertekstualizon ironikisht Ivo Andriqin, në përshkrimin e torturave të kampit evropian, intertekstualizohet po ironikisht një burim francez, në Fusnotën 2, në të cilën thotë: “Bëra një përshkrim më të shkurtër të garës së xhelatit francez, sepse më mirë se unë e ka bërë gazeta franceze Gazzete d’Amsterdam, të datës 1 prill 1757, në rastin e ekzekutimit publik të Robert Francois Deminit.”
Për më tepër, Fusnota 1 na dëshmon një mjeshtri krijuese të Kosumit: futjen e temave të reja në një tregim, si fusnotë, si ndajshtesë, por në fakt, këto tema fusnotë janë pasqyrë e lajtmotivit të tregimit. Shpeshherë këto tregime të fusnotave janë më të bukura se vetë tregimi ku bashkëngjiten. Në Fusnotën 1 të këtij tregimi rrëfehet prapavija e një atentati të mundshëm ndaj Luigjit XV nga një grup i shqiptarëve, nën kujdesin e kryepeshkopit të Shkupit Mëhill Suma.
Në fakt, motivi themelor nuk është ky, por një tekst i intertekstualizuar i Francoise Casanova-s, në të cilin pëshkruhet detajisht ekzekutimi publik i Francoise Damiones. Burrat shqiptarë, me mendësi ishullore pak të marrë e pak heroik, nuk mund të pajtohen se edhe në Perëndim ka asi mbretër çnjerëzor, të cilët bëjnë ekzekutime publike aq mizore, prandaj vendosin ta vrasin Luigjin XV.
Ky është modeli i rrëfimit i Kosumit, në të cilin krijohet rrjeta e ngjarjeve dhe e personazheve, e cila rrjetë ka vjegëza të shumta që mbajnë varur rrëfime, personazhe e ide nga ngjarje të tjera, epoka të tjera, kultura të tjera, por të gjitha fuzionohen rreth një ideje qendrore të tregimit.
MOTIVE TË PAFUND
Në Encikopedi ka qindra motive të cilat mua më japin shkas për interpretim eseistik, një zhanër që e kultivoj me kënaqësi. P.sh. titulli i tregimit “Sytë e Adem Jashari” për mua ka vlerë aq sa sintagmat e mirënjohura botërisht “Prekja e Zotit”, “Kryqi i Kreshtit”, “Guri i Sizifit”, “Kompleksi i Edipit” etj.
Nuk ka perde më të fortë morale për të mos shkarë në gabime, lajthitje, ligësi dhe devijime tjera joetike, se s kuptimi simbolik i syve të Adem Jasharit, të cilët nga fotoja në kornizën e varur në mur, me shikim fiktiv, i rri gati nëpunësit shtetëror të mos tundohet nga e keqja, se ja unë, flijuesi i madh i lirisë tënde po të shoh! Andaj. Mos, mos, mos. Mos abuzo, mos vidh, mos bëj krim.
Në “Enciklopedi” Kosumi trajton tema nga më të ndryshmet. Paradokset dhe marrëzitë ishullore-shqiptare janë koleksion i tërë. Që në krye të librit kemi tregimin “A u ribë Gurshentë”: një ndër tregimet sa ironike aq edhe tragjike. Ky tregim sintetizon arsyen mijëvjeçare të shpirtit rob të shqiptarit. Ai që herët ka lënduar dhe thyer dhe asgjësuar të shenjtën e tij. E nis i marri, pas tij elitari i shpifur.
Pasardhësit besnikë të atij të marri që provoi se mund t’i hiqet një copë gurit të shenjtë, sot janë ata që e rrahin shuplakë Gjergj Kastriotin, ata që përdhosin çdo kryevlerë kombëtare, njësinë e gjuhës, gjenialitetin e Ismail Kadaresë, qendrestarinë e Adem Demaçit etj.
Në “Enciklopedi” ka pafund motive të përjetshme, me të cilat nuk rresht së ballafaquari mendja njerëzore, njëjtësimi me Zotin, përmes artit dhe dashurisë, lufta e përjetshme midis ekzistencës materiale dhe të bukurës (Kali), midis mendjes dhe ndjenjës, konflikti i mendjes kontabiliste dhe shpirtit artistik.
Në “Enciklopedi” gjejmë motive ekstreme që nga interpretimet semiologjik “Gjuha dhe veprimi” deri te ato astrofizike “Mesazhi për fundin e botës” Në të parën autori interpreton shkëlqyeshëm përmes modelit sasior të fjalëve përshëndetjen “tungjatjeta” dhe ndajshtimet e emrit të Ramadan Shabanit: Dan në shtëpi, Ramadan, në fshat, Ramadan Aga në rreth, Aga Ramadan Aga, në rrethe më të largëta dhe Aga Ramadan Beg Aga, në vende të panjohura. Mungon vetëm ndajshtim pezhorativ i grave, Ramadanaqi.
Në njësinë apo zërin tjetër (i cili na bind se shkenca nuk është larg imagjinatës dhe e kundërta!) paraqitet fati i sistemeve diellore, i planetëve dhe i vetë njeriut e qenies njerëzore në kozmos.
Një motiv interesant është ai i verbërisë ideologjike të njeriut të ri në tregimin “Bunkeri 1224”, ku pos groteskut ndërton teorinë e antievolucionit: njeriu i bindur e i nënshtruar merr tipare bishe, shkon drejt egërsisë. Është pasojë e diktaturës ideologjike.
PËRMBYLLJE
Bajram Kosumit dhe “Enciklopedisë së tij Imaginare” i shkon për shtati ideja e dytë e Faustit të Gëtes. Mbretëria gjermane po të kapitullojë e të vihet në ankand, mund të blehet nga ndonjë mbretëri, por jo qyteti i krijuar nga Fausti në stere, në sipërfaqen e zënë në ujin e detit. “Enciklopedia Imagjinare” është kryevepra e Bajram Kosumit, rrjedhimisht dhe pa dyshim, një ndër kryeveprat e letërsisë shqipe.