Humolli: Dënimi i ish-krerëve të UÇK-së i konvenon Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj
Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Humolli thotë se Gjykata Speciale është anti-shqiptare.
Humolli hekson se, Qeveria duhet të angazhojë profesionistë në mbrojtjen e ish-krerëve sepse sipas tij, dënimi i tyre, i konvenon Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të saj në Kosovë.
“Kjo Gjykatë është antishqiptare, ka nevojë që mbrojtja të jetë shumë profesionale. Qeveria duhet të angazhojë profesionalisht për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së sepse dënimi i tyre është në interes të Serbisë dhe në interes të bashkëpunëtorëve të Serbisë në Kosovë”, tha Humolli.
Tutje, Humolli shton se ajo kosto e kërkuar duhet të paguhet sepse është në interes të Kosovës
“Kurse, dëmi do të jetë politik deri atje ku miqtë e Serbisë do ta dënojnë intervenimin e NATO-s në Kosovë dhe do të kenë të drejt të ngrisin aktakuzë kundër NATO-s pse kanë intervenuar. Mendoj, se kostoja duhet të paguhet për interes të Kosovës, jo për individët që janë të akuzuar”, tha Humolli.
Tutje, sipas Humollit, Qeveria aktuale nuk sheh drejt.
“Tendenca për të thënë që kjo Gjykatë është e Kosovë, nuk është reale.Njëjtë, si tendenca për të thënë se Kuvendi i Kosovës në 89-tën e ka heq vetë autonominë në interes të Kosovës”
“Kjo Qeveri nuk jeton me realitetin objektiv dhe nuk sheh drejt”, përfundon ai për GazetaBlic.