Humza Yousaf zgjidhet zyrtarisht kryeministër i Skocisë, bëhet myslimani i parë në këtë pozitë
Hamza Jusaf (Humza Yousaf) u zgjodh zyrtarisht sot kryeministër i Skocisë pas votimit në Parlamentin skocez dhe është myslimani i parë që e merr një pozitë të tillë.
“Kjo është një ditë krenarie për mua dhe familjen time dhe shpresoj të jetë gjithashtu një ditë krenarie për Skocinë, sepse ajo thotë shumë për vlerat tona”, tha Yousaf pas votimit në Parlament.
Yousaf (37 vjeç) u zgjodh për herë të parë si udhëheqës i Partisë Kombëtare Skoceze (SNP) në pushtet të hënën, pasi muajin e kaluar Nicola Sturgeon dha dorëheqjen nga ai post pas tetë vjetësh dhe mori automatikisht postin e kryeministrit. Si ajo ashtu edhe Yousaf janë në favor të pavarësisë skoceze.
Sipas sondazhit të fundit të JuGov (YouGov), 46 për qind e të anketuarve janë deklaruar pro pavarësisë së Skocisë, ndërsa në shkurt ishin 50 për qind.
Yousaf tha së fundmi se i përket “gjeneratës që do të marrë pavarësinë” e Skocisë nga Britania e Madhe, edhe pse ideja duket se është në ngërç, edhe pse është miratuar dy herë në referendumet në Skoci.
Në Londër, ministri britanik për Skocinë, Allister Jack, e përgëzoi Yousafin dhe i bëri thirrje që “të linte mënjanë obsesionin për pavarësinë” dhe të fokusohej në bashkëpunimin me Qeverinë e Britanisë së Madhe për të përmirësuar jetën e skocezëve.
Humza Yousaf, paraardhësit e të cilit emigruan nga Pakistani 60 vjet më parë, do të marrë zyrtarisht detyrën të mërkurën, pasi të jetë emëruar zyrtarisht në këtë post me urdhër mbretëror dhe pasi ta ketë bërë betimin para Gjykatës së Lartë të Skocisë.