Hunda

04 shkurt 2022 | 15:36

Ryūnosuke Akutagawa RASHOMONI

Mjaftonte të zije ngoje hundën e Zenki Naigus dhe të gjithë në Ike-no-o e dinin se përse po flisje. As që nuk kishte fare rëndësi se emri i tij lidhej me zgjuarsinë e Zenit (Zenkit) apo se ishte një nga dhjetë priftërinjtë që kishin nderin “të shër­benin” brenda pallatit mbretëror në Kioto. E rëndësishme ishte vetëm hunda e tij. Njësoj në trashësi, nga rrënja deri në majë, zgjatej plot pesëmbëdhjetë centimetra nga buza e sipërme e deri poshtë mjekrës, si një salsiçe që tundej në mes të fytyrës së tij.

Hunda kishte qenë përherë burim vuajtjesh për Naigun, që prej ditëve të para, që kur qe ndihmës i ri deri pas moshës pesëdhjetë vjeçe, kur kishte zënë pozicionin e lartë që mbante tashmë. Nga jashtë, sigurisht, bënte sikur nuk bezdisej nga ky fakt, sepse ishte e gabuar për një prift të shqetësohej për hundën e vet kur, në fakt, duhej të ishte i etur vetëm për ardhjen e Tokës së Dëlirë. Ç’ka e bezdiste më tepër ishte se mos të tjerët e kuptonin shqetësimin e tij për hundën. Kur në ndonjë bisedë përmendej fjala “hundë”, frikësohej për qamet.

Kishte dy arsye se përse Naiguja s’mund ta përballonte çështjen e hundës së tij. Njëra ishte se i ndërhynte shumë shpesh. Nuk mund të hante dot vetë. Sa herë përpiqej, maja e hundës binte mbi orizin në tasin prej metali. Për këtë problem, ai sa herë hante merrte një dishepull që ulej përballë tij dhe i mbante hundën me një ristelë druri të ngushtë, dy centimetra e gjysmë të gjerë dhe gjashtëdhjetë centimetra të gjatë. Nuk ishte punë fort e lehtë – as për dishepullin ristelë­mbajtës dhe as për vetë Naigunë. Një shërbyes tempulli që e zëvendësoi dishepullin në një vakt, teshtiu dhe e la hundën e Naigusë të binte mbi llapanë e orizit. Historia mori dheun në të dyja anët e lumit e gjer në Kioto. Megjithatë, nuk ishte kjo arsyeja pse Naiguja shqetësohej për hundën e tij. Më së shumti ai vuante për shkak të dëmit që i shkaktonte ajo vetëvlerësimit të tij.

Banorët e Ike-no-o-s thoshin se Zenki Naigu ishte me fat që qe prift: asnjë grua nuk do të pranonte të martohej me një burrë me një hundë të atillë. Disa syresh thoshin se për shkak të hundës i qe futur rrugës së priftërisë. Megjithatë, vetë Naiguja nuk ndiente se vuante më pak nga hunda, vetëm se qe prift. Përkundrazi, vetëvlerësimi i tij qe aq delikat sa nuk prekej nga një fakt kaq dytësor sa të pasurit apo jo një grua. E kështu, me çdo mënyrë, herë së jashtmi e herë së brendshmi, ai kërkonte ta ndreqte këtë dëm ndaj vetëvlerësimit.

Në fillim u mundua të gjente mënyra që ta bënte hundën të dukej sa më e shkurtër. Kur nuk kishte njeri përreth, mbante pasqyrën në dorë dhe me një fuqi të ethshme hetonte pasqy­rimin e tij në pasqyrë nga secili kënd. Ndonjëherë, që të ngu­shëllohej, nuk mjaftohej vetëm me ndryshimin e pozicionit të fytyrës që të ndihej mirë; provonte poza të llojllojta njëra pas tjetrës: vinte faqen mbi dorë ose godiste mjekrën e tij me majat e gishtave. Ama, kurrë asnjëherë nuk i dukej hunda aq e vogël sa të vetëkënaqej. Në fakt, ai herë-herë mendonte se sa më shumë që përpiqej, aq më e gjatë i dukej. Më pas, teksa psherëtinte dëshpërimisht, e vendoste pasqyrën në kuti dhe shkonte të ulej te stoli i shkrimit për të vazhduar me këndimin e “Kannon Sutra”-s.

Mënyra e dytë e përballjes me këtë problem ishte të bënte sytë katër për hundët e njerëzve të tjerë. Në tempullin e Ike-no-o-s organizoheshin shumë ngjarje publike, bankete për priftërinjtë, leksione për “sutrat” e kështu me radhë. Rresht pas rreshti qelitë e murgjve mbushnin kopshtin e tempullit dhe çdo ditë ata ngrohnin ujin e banjave për shumë banorë dhe vizitorë të rastit, të cilët Naiguja i studionte nga afër. Ai shpresonte paqohej qoftë duke zbuluar të paktën një fytyrë me një hundë si të tijën. Kështu, sytë e tij nuk dallonin as man­telin blu e as mantelin e bardhë, as kapelat portokalli e as fun­det gri: pamja e jashtme e priftërinjve që i njihte mjaft mirë, nuk kishte rëndësi më për të. Naiguja nuk shihte njerëzit, por hundët. Herë pas here i zinte syri ndonjë sqep të madh grrem­çak, por gjallë në botë se gjente një hundë si e tij. Dhe sa herë që dështonte në këtë kërkim të tijin, inati i Naigusë rritej edhe më. Ishte pikërisht prej kësaj ndjesie që shpesh, kur fliste me një njeri, krejt pa mendje, ai i ngulte sytë fundit të varur të hundës së tij dhe përskuqej si një djalosh. E për më tepër, Naiguja lexonte shkrimet budiste dhe tekstet e tjera klasike duke kërkuar për ndonjë personazh me hundë si e tij, me shpresën se do të ngushëllohej sadopak. Megjithatë, askund nuk shkruhej se hunda e Mokurenit apo Sharihotsusë ishte e gjatë. Edhe Ryuju dhe Memyo, sigurisht, ishin “bodhisattvas” me hundë njerëzore normale. Nga një histori kineze që dëgjoi, mori vesh se Liu Bei, perandori i Shu Han, kishte veshë të gjatë. “Ah, sikur të kishte qenë hunda”, mendoi ai, “sa mirë do të ndihesha!”

Duhet patjetër ta përmendim këtu se, përveç këtyre përpje­kjeve të brendshme, Naiguja mori hapa edhe më veprues për shkurtimin e hundës së tij. Ai i provoi të gjitha: piu një përzi­erje me kunguj të gjatë e të njomë, e leu hundën me urinë miu. Por asgjë nuk i bëri derman. Hunda vazhdonte të lëkun­dej nja pesëmbëdhjetë centimetra poshtë buzës së tij.

E megjithatë, një vjeshtë, një dishepull i tij, që kishte udhë­tuar në Kioto – dërguar nga vetë Naiguja – u kthye në Ike-no-o me një metodë për ta shkurtuar hundën siç e kishte mësuar nga një mik mjek. Doktori ishte një burrë nga Kina, i cili qe bërë prift i rangut të lartë në një prej tempujve kryesorë të Kioto-s, në Chorakuji.

Si zakonisht, duke u hequr sikur s’i interesonte asgjë në lidhje me hundën e tij, Naiguja në fillim nuk ra dakord që t’i nënshtrohej trajtimit të ri. Por shfaqte njëfarë keqardhje që dishepulli ishte futur në telashe të tilla. Thellë brenda vetes ama shpresonte që dishepulli të ngulte këmbë që ai ta pro­vonte këtë trajtim. Me siguri që dishepulli duhet t’i ketë njohur mirë taktikat e Naigusë. Por vetë dëshira e mjeshtrit të tij që të përdorte taktika të tilla dukej se ndillte tek ai më shumë mirëkuptim sesa keqardhje. Ashtu siç kishte shpresuar Naiguja, dishepulli përdori çdo argument që i erdhi ndër mend për ta bindur mjeshtrin e tij ta përdorte trajtimin. Dhe, siç e paramendonte se do të ndodhte, Naiguja më në fund iu dorëzua nxitjeve të zjarrta të dishepullit. Vetë trajtimi, në fakt, ishte fare i thjeshtë: të vihej hunda nën avull dhe pastaj dikush ta shtypte.

Ujë të valuar kishe çdo ditë në tempull, nga banjat e ngrohta. Dishepulli solli menjëherë një kovë plot me ujë aq të nxehtë sa nuk e prekje dot. Nëse Naiguja do ta fuste hundën menjë­herë në kovë, do t’i digjej krejt fytyra nga avulli i nxehtë. Më pastaj morën një tabaka dhe hapën në të një vrimë, e vunë tabakanë mbi kovë dhe hundën e futën në ujë nëpërmjet vrimës së tabakasë. Vetë hunda nuk e ndjeu aspak nxehtësinë.

Pasi hunda qëndroi për njëfarë kohe në ujë, dishepulli tha: “Besoj se është zier mjaftueshëm, Shkëlqesia juaj”.

Naiguja i nënqeshi shtrembër. Të paktën, mendoi ai i këna­qur paksa, kushdo që do ta dëgjonte këtë s’do të mendonte se po flitej për hundën. Vetë hunda e zier i kruhej tani sikur ta kishin thumbuar pleshtat.

Naiguja e tërhoqi hundën nga vrima e tabakasë dhe dishe­pulli filloi ta shtypte teksa lëshonte avuj me sa kish fuqi. Naiguja, i shtrirë mbi dërrasat e dyshemesë me hundën e shtriqur, shihte këmbët e dishepullit që lëviznin sa lart e poshtë para syve të tij. Herë pas here dishepulli hidhte një vështrim keqardhës drejt kokës tullace të Naigusë, dhe thoshte: “A ju dhemb, Shkëlqesia juaj? Mjeku më tha ta shtyp me sa kam fuqi, por… a ju dhemb?”

Naiguja mundohej ta tundte kokën për të thënë se nuk i dhembte, por kur dishepulli i shtypte hundën me këmbë, mezi duronte. Megjithatë, ai shihte vërdallë derisa të vërente që këmbët e plasaritura të dishepullit të bëheshin thela-thela, dhe mandej i lëshonte një të bërtitur si i nervozuar: “Jo, nuk më dhemb!”

Pavarësisht prej dhimbjes, sikur ndihej mirë kur i riu i shtypte me këmbë hundën që i kruhej për qamet.

Pasi kjo gjë u përsërit disa herë, filluan t’i formoheshin xhunga të vogla si kokrra meli derisa mori pamjen e një zogu krejt të shpupluar e të pjekur. Kur e pa këtë, dishepulli ndaloi shtypjen dhe pëshpëriti sikur po fliste me vete: “Tani më duhet t’i heq me piskatore”.

Naiguja fryu bulçitë tërë inat, por ndërkohë e shikonte në heshtje dishepullin që vazhdonte trajtimin. Jo se ishte mosmi­rënjohës për përpjekjet e tij. Por sado që e vlerësonte mirësinë e djaloshit, nuk i pëlqente që hunda të trajtohej thjesht si objekt. Naiguja shikonte plot frikë, si një pacient që po operohet nga një doktor të cilit s’i beson, ndërsa dishepulli shkulte me pis­katore pikla dhjami nga poret e hundës së tij. Piklat e dhjamit dilnin nga një centimetër secila, tamam si maja pendësh.

Sapo mbaroi dishepulli, me një pamje lehtësimi tha: “Tani na duhet ta ziejmë sërish”.

Me vetullat e ngrysura që shprehnin dukshëm mospranim, Naiguja bëri si i tha.

Pas zierjes së dytë hunda dukej shumë më e shkurtër seç kishte qenë më parë. Vërtet, nuk dallonte nga një hundë grrem­çake. Teksa godiste hundën e tij të shkurtuar, Naiguja i hodhi ca vështrime të ndrojtura pasqyrës që mbante djaloshi i ri.

Hunda – që dikur varej poshtë mjekrës së tij – tani ishte tkurrur në atë nivel aq të pabesueshëm sa dukej sikur varej deri te buza e sipërme qoftë edhe nëse frymonte lehtë. Njollat e kuqe që pikasnin me siguri ishin lënë nga shkelmimi. Askush s’do të tallej më me këtë hundë. Naiguja pa reflektimin e vet në pasqyrë, kurse qerpikët i përpëliteshin nga kënaqësia.

Por sërish gjatë asaj dite nuk u ndje rehat nga sikleti se mos hunda do të zgjatej prapë. Qoftë kur këndonte shkrimet e shenjta, qoftë kur hante ushqim, ai shfrytëzonte çdo mundësi dhe vetvetiu prekte hundën. Çdo herë e gjente fiks aty ku e kishte vendin, mbi buzën e sipërme, pa asnjë shenjë se kishte ndër mend të binte poshtë. Më pas erdhi ora për të fjetur dhe gjëja e parë që bëri sa u zgjua ditën tjetër ishte prekja e hundës. Ishte ende e shkurtër. Vetëm atëherë Naiguja filloi të ndiente njëfarë lehtësimi, të cilin e pat ndier vetëm dikur, shumë vite më parë, kur kishte marrë merita fetare, ngaqë kishte kopjuar të gjithë “Lotus Sutra”-n me dorë.

Nuk ishin bërë as tri ditë kur Naiguja bëri një zbulim të habitshëm. Si fillim, njëfarë samurai që punonte në tempullin e Ike-no-o-s, i cili më parë mezi i fliste Naigusë, dukej i këna­qur dhe ia kishte ngulur sytë hundës së tij. Më pas shërbyesi që ia kishte hedhur hundën në qull, i kaloi nga afër në sallën e leksionit; djali në fillim uli shikimin teksa mundohej ta mbante të qeshurën por, në fund, duke mos e mbajtur dot veten, u gajas së qeshuri. E, si përfundim, në më shumë se një rast, një prift vartës, që e respektonte thellësisht kur merrte urdhra prej tij, por sapo ky kthente shpinën fillonte e zgërdhihej.

Në fillim Naiguja e lidhte këtë sjellje me ndryshimin në pamje. Por vetëm kjo s’e shpjegonte tamam këtë sjellje. Me siguri qe kjo arsyeja që kish shkaktuar gjithë atë të qeshur te shërbyesi dhe vartësi. Por mënyra sesi qeshnin tani, ishte disi më ndryshe nga mënyra sesi kishin qeshur dikur kur e kishte hundën e gjatë. Ndoshta sepse hunda e panjohur, më e shkurtër, u dukej më qesharake se hunda e njohur e më e gjatë. Por, mesa dukej, kishte diçka më shumë.

“Kurrë më parë s’kishin qeshur kaq hapur”. Naiguja ynë i dashur ndonjëherë e linte këndimin e shkrimeve të shenjta dhe pëshpëriste me vete këtë mendim, duke e anuar paksa kokën e tij tullace. Sytë e tij përhumbeshin në portretin e Bodhisattva Fugenit që varej pranë tij. Ai zhytej në mërzi dhe mendonte si kishte qenë para pak ditësh, kur e kishte ende hundën e gjatë, “njësoj si një njeri që nuk zhytej dot më thellë se kaq e që kujton ditët e lavdisë”. Fatkeqësisht, Naiguja nuk kishte mençuri t’i gjente zgjidhje këtij problemi.

Zemra njerëzore strehon dy ndjenja kundërshtuese. Sigurisht, çdokush ndien keqardhje për njerëzit që pësojnë fatkeqësi, por kur këta njerëz ia dalin t’i kapërcejnë fatkeqësitë e tyre, ne ndiejmë njëfarë zhgënjimi. Madje edhe mund të ndiejmë një dëshirë (ta zmadhojmë paksa çështjen), t’i kredhim sërish në atë zezonë. Pa e kuptuar mirë, ne (qoftë edhe krejt në plogë­shti) fillojmë të krijojmë njëfarë armiqësie kundrejt tyre. Për shkak të këtij egoizmi të shfaqur si në komunitetin e priftë­rinjve, ashtu edhe në atë të njerëzve të zakonshëm të Ike-no-o-s, Naiguja, i pavetëdijshëm për arsyen, ndjeu një telikosje të papërcaktueshme.

Si rrjedhojë, humori i tij sa vinte e bëhej çdo ditë e më keq. Naiguja acarohej me njerëzit në çdo fjalë – derisa, në fund, edhe dishepulli që kishte kryer trajtimin e hundës së tij, filloi të pëshpëriste pas shpinës së tij: “Naiguja do të ndëshkohet që na trajton kaq ashpër në vend setë na mësojë Ligjet e Budës”. Ama ai që e inatosi keqas Naigunë qe një shërbëtor i prapë. Një ditë Naiguja dëgjoi një të lehur të fortë dhe pa një pa dy doli jashtë të shihte se ç’po ndodhte. Jashtë ai pa një shërbëtor që tundte një shkop të gjatë teksa ndiqte një qen thatim qime­gjatë. Ama djaloshi nuk po ndiqte thjesht qenin, ai bërtiste sikur i drejtohej qenit: “S’e godas hundën time! Haha! S’e godas hundën time!” Naiguja ia rrëmbeu djalit shkopin nga dora dhe ia ngjeshi fytyrës. Më pas kuptoi se ky “shkop” ishte ristela që kishte përdorur për ta mbajtur hundën lart kur hante bukë.

Hunda ishte shkurtuar mirë, mendoi Naiguja, por ai e urrente çdo gjë që i kishte bërë. Pas një nate ndodhi diçka. Menjëherë pas perëndimit të diellit era ia nisi të frynte krejt papritur, sa zhurma e mërzitshme e tingëllimës i mbërriti Naigusë gjer në faltore. Ajri sa vinte e bëhej edhe më i ftohtë dhe Naiguja i plakur nuk po arrinte të vinte gjumë në sy. Me sytë hapur në errësirë, ai ndjeu se hunda po i kruhej sërish. E çoi dorën në të dhe nga prekja diktoi se hunda qe ënjtur paksa. Atë (dhe vetëm atë) dukej se e kishin zënë ethet.

“Morëm hapa aq drastikë që ta shkurtonim. Ndoshta kjo më ka shkaktuar ndonjë sëmundje” i pëshpëriti vetes Naiguja, duke mbledhur hundën ndër duar sikur po i ofronte me nde­rime Budës lule ose temjan.

Mëngjesin tjetër Naiguja u zgjua më herët se zakonisht dhe vuri re se gjethet e pemëve të xhinkos dhe gështenjës së egër kishin rënë brenda natës dhe krijonin një tapet të artë të shndritshëm mbi oborrin e tempullit. Dhe ndoshta për shkak të ngricave në çatinë e faltores, spiralja me nëntë unaza në majë flakërinte ndaj dritës akoma të zbehtë të diellit që po lindte. Tek qëndronte në verandë ku ishin ngritur grilat e thurura, Zenki Naigu mori frymë thellë në ajrin e mëngjesit.

Pikërisht në këtë çast një ndjesi e shkuar e harruar u ngjall sërish tek ai.

Naiguja e ngriti menjëherë dorën te hunda, por ajo që ndjeu s’ishte më hunda e shkurtër që kishte prekur gjatë natës. Ishte e njëjta hundë e gjatë që kishte pasur përherë, e cila varej plot pesëmbëdhjetë centimetra nga buza e sipërme e deri poshtë mjekrës. Brenda një nate të vetme hunda e tij ishte rritur aq sa ç’ishte më parë. Kur e kuptoi këtë, Naiguja e ndjeu prapë atë ndjesi të shkëlqyeshme lehtësimi që kishte përjetuar kur kishte shkurtuar hundën.

“Asnjë nuk do të qeshë më me mua”, i pëshpëriti në heshtje ai zemrës së vet teksa linte hundën e gjatë të tundej nga era e agimit të vjeshtës.

(Janar, 1916)

 Përktheu nga anglishtja: Sidita Hoxhiq Dano

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, është bërë pjesë e ekipit…