Hungarezët protestojnë kundër politikave të Orbanit
Mijëra hungarezë kanë protestuar për të dytën fundjavë me radhë kundër politikave të reja të kryeministrit, Viktor Orban.
Organizatorët kanë thënë se në protestën e 21 prillit kanë marrë pjesë mbi 100 mijë persona. Hungarezët kanë protestuar në qytete të ndryshme të vendit, ndërkaq në kryeqytet, Budapest, vlerësohet se 30 mijë persona dolën në rrugë.
Partia Fidesz është shpallur fituese në zgjedhjet e 8 prillit, duke i lejuar Orbanit mandatin e tretë radhazi si kryeministër dhe të katërtin në përgjithësi, raporton “Rel”.
Kritikët e kanë akuzuar atë për politika anti-Bashkimit Evropian, anti-emigrantëve dhe kanë thënë se kryeministri Orban po kufizon liritë dhe po tenton që ta shndërrojë Hungarinë, në atë që ai vetë e ka quajtur “shtet joliberal”.
Liderët e partisë në pushtet kanë premtuar se do të miratojnë një ligj që do të kufizonte punën e organizatave joqeveritare që ndihmojnë refugjatët dhe azilkërkuesit.
Organizatorët e protestave e kanë thënë se media shtetërore pro-qeveritare dhe ato private, që kanë përkrahur partinë Fidez, kanë ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve të fundit.
“Ne duhet të bëhemi bashkë që t’i japim fund gënjeshtrave që publikohen nga televizioni shtetëror”, ka thënë Gergely Homonnay, gazetar dhe shkrimtar, që ka ndimuar në organizimin e protestave.
“Duhet të formohet një organ i pavarur që mbikëqyrë funksionimin e medieve publike, të cilat nuk duhet të mbështesin fushatat politike”, ka thënë tutje ai.