Hungari, mijëra vetë marshojnë në mbështetje të komunitetit LGBT

25 korrik 2021 | 14:29

Zemërimi në rritje ndaj politikave të qeverisë së krahut të djathtë të Hungarisë ka mbushur rrugët e kryeqytetit të vendit të shtunën. Me mijëra mbështetës të komunitetit LGBT kanë marshuar në paradën vjetore të Krenarisë në Budapest.

Organizatorët e marshimit kanë thënë se prisnin një pjesëmarrje rekord. Ata u kanë bërë thirrje pjesëmarrësve të shprehnin kundërshtimin e tyre ndaj masave më të fundit të qeverisë së kryeministrit populist, Viktor Orban që kritikët kanë thënë se stigmatizojnë pakicat seksuale në vendin e Evropës Qendrore.

Zëdhënësi i paradës, Jojo Majercsik, ka thënë se marshimi i këtij viti nuk ishte thjesht një ngjarje për të festuar dhe përkujtim i përpjekjeve historike të lëvizjes LGBT, por dhe një protestë kundër politikave aktuale të Orbanit që vënë nën shënjestër siç ka thënë ai përfaqësuesit e këtij komuniteti.

“Shumë njerëz LGBTQ kanë frikë dhe nuk ndjehen sikur kanë më vend apo të ardhme këtu”, ka thënë Majercsik për agjencinë “Associated Press”.

Marshimi vjen pas miratimit nga parlamenti i Hungarisë në muajin qershor të një ligji që ka nxitur debate i cili ndalon që të miturve t’u prezantohen materiale mbi homoseksualitetin ose ndryshimin e gjinisë. Kjo masë i bashkëngjitet një projektligji që lejon ndëshkime më të ashpra për pedofilët.

Qeveria e Hungarisë ka theksuar se me politikat e saj synon të mbrojnë fëmijët. Por kritikët e ligjit të cilët e krahasojnë atë me një ligj rus të vitit 2013, kanë thënë se ai e lidh homoseksualitetin me pedofilinë, si pjesë e një fushate për të mobilizuar votuesit konservatorë përpara zgjedhjeve të pranverës së ardhshme.

Ligji është ndeshur me kundërshtimin e ashpër të shumë politikanë në Bashkimin Evropian, anëtare e të cilit është edhe Hungaria. Javën e kaluar krahu ekzekutiv i bllokut prej 27 anëtarësh nisi dy procedura të veçanta ligjore kundër qeverisë hungareze për shkelje të të drejtave të komunitetit LGBT.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dhjetëra mijëra protestues kanë dalë nëpër rrugët e disa qyteteve…