Hungaria bllokon 50 miliardë euro ndihmë të BE-së për Ukrainën
Bashkimi Evropian ka dështuar të arrijë një pajtim për një paketë prej 50 miliardë eurosh ndihmë për Ukrainën, pasi Hungaria vuri veton ndaj ndihmës, mbrëmjen e 14 dhjetorit.
Veprimi i Hungarisë, si goditje ndaj Kievit, vjen në kohën kur liderët e BE-së vendosën t’i hapin bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës dhe Moldavisë në BE.
Hungaria do të mund të ndalojë procesin e anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian më vonë, nëse është e nevojshme, meqë BE kishte marrë një “vendim të keq” kur vendosi të fillojë bisedimet për anëtarësimin e saj, tha kryeministri Viktor Orban, për radion shtetërore.
Ai tha se nëse BE-ja dëshiron të ndryshojë buxhetin e saj aktual, atëherë do të jetë një “mundësi e madhe për Hungarinë të thotë se duhet të marrë paratë që ka të drejtë”.
Miliarda euro fonde të BE-së, të destinuara për Hungarinë, mbeten të bllokuara për shkak të politikave të Orbanit lidhur me sundimin e ligjit, demokracinë dhe çështje të tjera që ishin shqetësuese për BE-në.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel tha se “26 liderë ranë dakord” për ndihmën për Ukrainën, por duke iu referuar Orbanit, tha se “një udhëheqës nuk mund të pajtohej”.
Ai bëri të ditur se lideri i Suedisë kishte ende nevojë të konsultohej me ligjvënësit për çështjen e buxhetit, ndërsa shtoi se udhëheqësit e BE-së do të rishikojnë çështjen e ndihmës për Ukrainën në një samit “në fillim të vitit të ardhshëm”.
Sipas tij, duhet ende përpunim i detajeve për këtë.
Opsione të tjera, për ndihmë për Ukrainën, mund të përfshijnë marrëveshje të veçanta kombëtare.
Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, tha “Ukraina nuk do të mbetet pa mbështetje, ka mënyra të ndryshme për ta bërë këtë”, derisa shtoi “Unë kam shumë besim. Do të kemi një zgjidhje deri në janar”.
Liderët e Bashkimit Evropian vendosën të enjten t’i hapin bisedimet për anëtarësim në BE me Ukrainën dhe Moldavinë.
Një ditë më parë, Orban u largua nga salla kur po i hapej rruga procesit të anëtarësimit për Ukrainën, duke abstenuar kështu vendimin e BE-së.
Hungaria ka kohë të gjatë që e kundërshtonte nisjen e bisedimeve me Kievin, megjithatë, nuk e përdori veton ndaj këtij vendimi.
Kryeministri hungarez, i cili mban marrëdhënie të afërta presidentin rus, Vladimir Putin, beson se vendimi për anëtarësimin e Ukrainës është “plotësisht i pakuptimtë dhe gabuar”.
Putini nuk tregoi shenja të pendimit. Ai tha se mbështetja e Perëndimit për Ukrainën “mund të përfundojë në një moment dhe siç duket po i vjen fundi pak nga pak”.
Ukraina dhe Moldavia aplikuan për t’iu bashkuar BE-së pasi Rusia e nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Të enjten, presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel e quajti vendimin për fillimin e negociatave me Ukrainën “një sinjal të qartë shprese për popullin e tyre dhe kontinentin tonë”.
Edhe pse bisedimet nuk do të nisin menjëherë dhe ato pritet të zgjasin disa vjet, presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy e mirëpriti këtë vendim si “fitore për Ukrainën dhe të gjithë Evropën”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se ky ishte një “vendim strategjik” dhe, sipas saj, dita e vendimit do të mbetët e shënuar në historinë e BE-së.
Të enjten, blloku 27 anëtarësh miratoi gjithashtu një paketë prej dymbëdhjetë sanksionesh kundër Rusisë, tha presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel.
Samiti i 14 dhe 15 dhjetorit vjen pas vizitës së presidentit ukrainas në Uashington, ku nuk arriti të bindë ligjvënësit republikanë në Kongres që të zhbllokojnë një paketë ndihme ushtarake dhe ekonomike me vlerë 60 miliardë dollarë për Ukrainën.
Udhëheqësit e BE-së pritej të kalonin në tema të tjera në ditën e dytë të samitit, duke përfshirë luftën e Izraelit me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e bashkuara dhe Bashkimi Evropian.