Hungaria e refuzon vendimin e gjykatës së BE-së për azilkërkuesit e bllokuar në kufi

19 maj 2020 | 13:23

Një këshilltar për siguri i kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka thënë se Hungaria nuk do ta pranojë vendimin e gjykatës më të lartë të Bashkimit Evropian për lirimin e katër azilkërkuesve të bllokuar në kufirin me Serbinë.

Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Evropian e ka shqyrtuar rastin e dy afganëve dhe dy iranianëve që kishin hyrë nga Serbia në Hungari në fund të vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019 dhe kishin aplikuar për azil në zonën tranzitore “Roszke”.

Aplikacionet e tyre ishin refuzuar nga Hungaria, që i urdhëroi ata të kthehen në Serbi, por as autoritetet serbe nuk i pranuan në territorin e tyre, shkruan “Reuters”, transmeton Express.

Javën e kaluar, gjykata e BE-së vlerësoi se azilkërkuesit ishin arrestuar në zonën tranzitore në kufi dhe se një gjykatë lokale duhet t’i lirojë ata menjëherë.   “Qeveria nuk e pranon vendimin e gjykatës më të lartë të BE-së për zonat tranzitore”, tha Gyorgy Bakondi, këshilltar për çështje të sigurisë i kryeministrit Orban.

Ai shtoi se zonat tranzitore janë pjesë e sistemit hungarez për mbrojtjen e kufirit dhe se imigrantët e bllokuar në kufi paraqesin kërcënim për shëndetin publik në kohën e pandemisë.

Bakondi tha se Hungaria do t’i shfrytëzojë të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar vendimin e gjykatës së BE-së.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fitim Uka, ka kërkuar që të…