Hungaria kërkon nga BE-ja t’i nis negociatat me Shqipërinë në qershor
Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, me ftesë të ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Tregtisë të Hungarisë, Peter Szijjarto, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Budapest.
Gjatë konferencës së përbashkët ministri i Jashtëm i Hungarisë, ka thënë se “Bashkimi Evropian (BE) duhet t’i hapë negociatat me Shqipërinë në muajin qershor”.
Ai ka theksuar se “do të ishte e papranueshme shtyrja e vendimit për çeljen e negociatave të Shqipërisë me BE”.
Gjatë takimit ministri Szijjarto ka theksuar se “siguria dhe stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i rëndësishëm si dhe ndikon drejtpërdrejtë edhe në sigurinë e Evropës Qendrore”.
Ndërkohë, ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka deklaruar se “Shqipëria mbetet shpresëplotë për hapjen e negociatave, kjo bazuar në rezultatet e arritur deri më sot nga zbatimi i reformës në drejtësi e deri te reforma në administratën publike”.
“Këshilli do të vendosë pozitivisht për hapjen e negociatave për anëtarësim në muajin qershor”, ka theksuar Cakaj.
Të dy ministrat kanë ndarë vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira në mes të dy vendeve si në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik.
Ministri në detyrë Cakaj dhe ministri hungarez Szijjarto kanë firmosur dy marrëveshje, të cilat do të rrisin edhe më tutje bashkëpunimin ekonomik në mes të vendeve.
Në takimin e përbashkët është diskutuar edhe për kryesinë shqiptare të OSBE-së në vitin 2020, ku palët janë pajtuar për bashkërendimin e mëtejshëm të aktiviteteve dhe bashkëpunimin ndërshtetëror.