Hungaria mbylli një pikë kufitare me Serbinë për shkak të emigrantëve
Policia në Hungari ka mbyllurpërkohësisht një pikë kufitare me Serbinë, pasi rreth 200 emigrantë, përfshirë fëmijë, ishin mbledhur atje, duke kërkuar të kalojnë kufirin.
“Nuk jemi kriminelë, kemi ikur nga lufta, jo nga uria”, thërrisnin emigrantët gjatë natës së shkuar.
Policia hungareze ka thënë përmes një deklarate se pika kufitare Kelebija “është mbyllur përkohësisht, pasi nuk mund të kalohet për shkak të një grupi të madh emigrantësh pranë palës serbe”.
Një roje kufitare e Serbisë i ka thënë agjencisë së lajmeve “AFP” se “rreth 100 emigrantë” kanë pritur paqësisht në territorin midis Serbisë dhe Hungarisë, duke kërkuar nga autoritetet hungareze që t’i lejojnë brenda.
Mijëra migrantë që kanë ikur nga lufta dhe varfëria sidomos në Lindjen e Mesme, kanë mbetur të bllokuar në Ballkan, ndërkohë që synojnë të arrijnë në ndonjë vend të Evropës Perëndimore.
Autoritetet hungareze kanë ngritur gardhe me tela përgjatë kufirit për të mos lejuar hyrjen e tyre.