Hungaria merr komandën e KFOR-it vitin e ardhshëm?
Hungaria planifikon që vitin e ardhshëm ta marrë detyrën e komandës në misionin paqësor në Kosovë, gjë që për herë të parë një shtet i rajonit do të jetë në krye të forcave ndërkombëtare të KFOR-it, përcjell portali Rrjeti Ballkanik i Sigurisë.
Siç thuhet në tekst, këtë e tha në Uashington shefi i Shtabit të Ushtrisë hungareze Fernec Korom, gjatë bisedës me zëvendësin e Shtatmadhorisë së ShBA-së, gjenerali Xhon Hajten.
Nëse Hungaria e merr mbështetjen për këtë nismë, pozitën e komandantit të KFOR-it do ta marrë një vend i rajonit dhe me këtë do të ndërpritet praktika e deritanishme që në krye të misionit të vijnë oficerë të vendeve të Evropës Perëndimore anëtare të NATO-s.
Paralajmërimi i shefit të Shtatmadhorisë hungareze vjen pas vendimit të ditëve më parë të Budapestit që të shtojë kontingjentin e saj në KFOR edhe me 100 ushtarë.
Hungaria nga të gjitha vendet e rajonit ka më së shumti ushtarë në misionin e KFOR-it, që gjithsej numëron 3.526 ushtarë nga 27 vende.
Në krye të KFOR-it aktualisht është gjenerali Mikele Rizi, i cili është oficeri i njëmbëdhjetë italian që udhëheq këtë mision.
Që nga viti 2000, deri më tani komandantë të KFOR-it kanë qenë gjenerali i Britanisë Madhe (një herë), i Francës (tri herë), i Gjermanisë (shtatë herë), Norvegjisë (një herë) dehe i Spanjës (një herë).
Përveç rolit në misionin e KFOR-it, Hungaria në bazë të marrëveshjes me NATO-n, që nga viti 2004 kryen kontrollin e hapësirës së lartë ajrore në Kosovë.
/Epoka e re/