Hungaria miraton referendumin për LGBT-në, priten kufizime e konflikt me BE-në
Kuvendi i Hungarisë e ka miratuar rezolutën që e autorizon qeverinë për të mbajtur referendum kombëtar për çështjet e komunitetit LGBT, duke e vënë partinë në pushtet edhe më tej në konflikt me Bashkimin Evropian dhe me aktivistët, të cilët ligjet e miratuara më parë këtë vit i kanë cilësuar si diskriminuese.
Deputetët e partisë “Fidesz” të Kryeministrit Viktor Orban të martën miratuan katër pyetje të referendumit në lidhje me programet për edukimin seksual në shkolla dhe me prezantimin e përmbajtjes seksuale në medie, shkruan Free Europe, transmeton Gazeta Express.
“Qeveria e Hungarisë propozon që qytetarët duhet të kenë një mundësi për ta shprehur qëndrimin e tyre për çështjet rreth propagandës gjinore”, tha para deputetëve zëvendësministri Balazs Orban.
“Ne jemi të përkushtuar. Ne besojmë që duhet t’i themi jo propagandës së LGBT-së në shkolla, të kryer me ndihmën e OJQ-ve dhe medieve, pa pëlqimin e prindërve”, shtoi ai.
Kryeministri Orban kërkoi referendum, pasi qeveria e tij miratoi një varg ligjesh në qershor që nga Komisioni Evropian dhe komuniteti LGBT u cilësuan si sulm ndaj të drejtave të këtij grupi duke i stigmatizuar pakicat seksuale dhe duke e shtypur diskursin për orientimin seksual.
Komisioni Evropian ka nisur dy procedura të ndara ligjore kundër qeverisë hungareze për atë që e ka cilësuar shkelje rreth të drejtave të komunitetit LGBT.