Hungaria proteston kundër “ligjit të skllevërve”
Hungaria po përjeton protestat më të mëdha të viteve të fundit. Arsyeja është ndryshimi i një ligji të punës. Mungesa e fuqisë punëtore në vend bën që punëdhënësit t`u rrisin mbiorët punëtorëve.
Një valë të tillë protestash Hungaria ka kohë që nuk e ka përjetuar. Prej ditësh demonstrojnë mijëra hungarezë kundër politikës sociale të qeverisë së Orbanit dhe transformimit jodemokratik që po i bën ai vendit të tij. Policia ka përdorur gazin lotsjellës dhe ka vepruar me brutalitet kundër demonstruesve. Disa duzina njerëzish u ndaluan nga policia, e u liruan pas 12 ose më shumë orësh. Protesta e së dielës fillimisht u zhvillua në mënyrë paqësore, por pastaj policia ndërhyri me gaz lotsjellës, kur një pjesë e demonstruesve bllokoi ndërtesën e radios publike hungareze.
Shkak i protestave është bërë një ligj që në opinionin publik është damkosur si “ligji i skllevërve”, fjala është për ndryshimin e ligjit të punës, që u miratua në parlament javën e kaluar. Ligji i ri hungarez lejon rritjen e ndjeshme të numrit të mundshëm të mbiorëve të punës në vend, nga 250 në 400 orë. Në të njëjtën kohë punëdhënësit mund t`i lejojnë vetes deri në tre vite kohë për pagesën e këtyre mbiorëve, jo një vit si deri më tani. Ligji u miratua kundër protestës masive të sindikatave, opozitës dhe organizatave joqeveritare./dw/