Hupja fijen Korrupsionit!
Lëvizja FOL me mbështetjen e USAID-it Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në Kosovë, të dielën në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsion ka paraqitur performancën artistike CorruptiON/OFF, përmes së cilës është shfaqur pikëpamja e jonë lidhur me nivelin e korrupsionit në Kosovë.
Mexhide Demolli-Nimani, drejtoresh e Lëvizjes FOL, ka thënë se në vitin 2018 në Kosovë kanë ndodhur përmirësime, veçanërisht në fushën e prokurimit publik me rastin e hapjes së kontratave publike.
Megjithatë, sipas saj ka ende punë për t’u bërë, sidomos në fushën e llogaridhënies.
“Përmes kësaj performance FOL ka paraqitur dy botë kundërthënëse të cilat janë duke u shfaqur në Kosovë. Në një anë ne pamë botën e qytetarëve të thjeshtë, kurse në anën tjetër pamë botën e politikanëve në Kosovë. Paralelisht me skeçin, dhe përmes grafiteve, ne paraqitëm Kosovën aktuale dhe Kosovën të cilën duam ta kemi”, ka deklaruar Demolli-Nimani.
Ajo ka thënë se korrupsioni tashmë nuk është çështje perceptimi por është shndërruar në një realitet politik në të gjitha institucionet publike.
“Me mijëra raste korrupsioni janë duke u mbajtur nga prokuroritë dhe gjykatat, kurse proceset janë duke u zvarritur me vite të tëra”, ka deklaruar Demolli-Nimani.
Sipas saj, Qeveria në asnjë rast nuk duhet të tolerojë ministra apo anëtarë të Kuvendit, të cilët një pjesë të kohës e kalojnë në gjykata duke u përballur me akuza për korrupsion, kurse pjesën tjetër të kohës duke marrë vendime në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tyre si ministra apo anëtarë të Kuvendit.
“Mobilizimi i shoqërisë në luftën kundër korrupsionit nuk është më çështje pritjesh por një nevojë urgjente. Nuk jemi më në nivelin e vetëdijesimit, por në nivel ku duhet të ndërmarrim veprime konkrete drejt forcimit të ligjit dhe denoncimit të korrupsionit. Nuk duhet të presim nga politika të rregullojë këtë fushë, por secili nga ne duhet të jetë i përgjegjshëm duke filluar të bëjë ndryshimin nga vetja e tyre”, ka thënë ajo.
Ndërkaq Stephen Carpenter, drejtor i programit Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse në USAID, ka pohuar se qytetarët dhe shoqëria civile duhet të ndihmojnë në luftën kundër korrupsionit.
“Hapja e kontratave është një moment i mirë në rrugën drejtë transparencës dhe llogaridhënies. Me këtë rast qytetarët thirren që të shohin dhe të vlerësojnë kontratat e nënshkruara nga shteti dhe operatorët ekonomik. Të shfrytëzojnë këtë moment në ndihmë për luftën kundër korrupsionit dhe të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet e vendit”, ka thënë Carpenter.