Huqja e madhe e prokurorisë në rastin e Azem Kurtaj, ekipi mbrojtës gjen qysh tash shkeljet ligjore
Kosovalive.net ka siguruar të plotë arsyetimin e prokurorisë për paraburgimin e Azem Kurtajt, ndaj të cilit gjyqtari i procedurës paraprake në Ferizaj vendosi dje masën e arrestit prej 30 ditësh paraburgim.
Mbrojtja ligjore e ushtarit të FSK’së, Azem Kurtaj, kanë pohuar se dispozitivi i parë sipas prokurorisë ka trajtim i keq ndaj klientit.
“Dispozitivi i parë sipas prokurorisë ka shpërbythje (trajtim i keq) të atilla që fizikisht e bëjnë të pamundur veprimin e një subjekti, këto shpërbythje kanë të bëjnë me përshkrimin e ngjarjes. Prokuroria thotë se ka qenë i penguar nga disa persona ndërsa për të njëjtit persona thotë se kanë qenë në skaj të rrugës. Një i dyshuar nuk përgjigjet për dy vepra penale të kryera me një veprim, andaj, prokuroria nuk do të ketë mundësi t’a mbështes teorinë e saj se këtu edhe ka tentim vrasje edhe ka përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm sepse vepra e parë e konsumon veprën me peshë më të vogël”, u deklaruan kështu ekipi i mbrojtjes së Kurtajt.
Po ashtu mbrojtja ligjore pretendon se ka vërejtur shkelje të tjera ligjore, e që gjatë nisjes së procesit gjyqësor do ta vërtetojnë siç kanë thënë heqjen profesionale të prokurorisë.
“Prokuroria përmend dy momente kohore, orën 13:00 dhe orën 14:00. Pyetja logjike është, ku ishte policia nëse ngjarja e qitjes me armë paska pas qenë më e gjatë se 2 orë? Pra, është për tu çuditur se si policia ka arritur në vendin e ngjarjes me aq vonesë dhe pse komunikata e parë e policisë ndodhë 3 orë pas momentit që prokuroria pretendon se ka ndodhur qitja e parë në ajër. Mirëpo, ajo që nuk mund të kontestohet është se edhe në kërkesën e prokurorisë, theksohet se Azem Kurtaj ka qenë i penguar të lëvizë dhe atë dy herë”, pohon ekipi i avokatëve.
Ja se si e arsyeton prokurori paraburgimin e Azem Kurtajt sipas aktkërkesës zyrtare:
Kronologji e ngjarjes:
32-vjeçari Azem Kurtaj, nga Kaçaniku, i cili është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës, është arrestuar me 6 janar pas plagosjes së dy të rinjve, njëri 11 e tjetri 21 vjeç në fshatin Gotovushë të Komunës së Shtërpcës. Sipas Prokurorisë Themelore thuhej se i dyshuari me dashje ka tentuar t’i privojë nga jeta Zvonimir Stojanoviq dhe Stefan Stojanoviç.
Ndaj të dyshuarit Kurtaj, Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji, shkruan Kosovalive.net.
Në kërkesën për paraburgim të prokurorisë, përshkruhet se s’i ka rrjedhur ngjarja deri te gjuajtja me armë ndaj dy të rinjve serbë, M.S dhe S.S. Aty thuhet se i dyshuari me të arritur në hyrje të fshatit, rreth orës 14:00, ka vërejtur disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t’i largojë i ka rënë borisë.
Ky ishte njoftimi i plotë i Gjykatës Themelore:
Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për Krime të Rënda, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.K., shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale vrasja e rëndë në tentativë nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1, 1.5 dhe 1.11 lidhur me nenin 28; përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm nga neni 367 paragrafi 1; shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm nga neni 356 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, ka vlerësuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri më 6 janar 2023, në një fshatë të Komunës së Shtërpcës, me dashje ka tentuar që t`i privoj nga jeta të dëmtuarit M.S. dhe S.S., në atë mënyrë që derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij dhe me të arritur në hyrje të fshatit, vëren disa qytetarë në skaj të rrugës dhe me qëllim që t`i largojë, i njëjti bie borisë, në pamundësi që të lëviz tutje e ndal veturën dhe pas një mosmarrëveshje verbale të ndodhur aty për aty e nxjerr revolen dhe shtënë dy herë duke i goditur të dëmtuarit, e që si pasojë e këtyre goditjeve lëndime trupore pësojnë të dëmtuarit të cilët fillimisht dërgohen në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë, e më pas në Spitalin në Graçanicë.
Gjithashtu, në kohë dhe vende të përshkruar si më lartë i pandehuri në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka përdorur armë me leje, në atë mënyrë përderisa ka qenë në veturën e tij, ka shtënë në drejtim të të dëmtuarve M.S. dhe S.S., e që si pasojë e goditjeve të njëjtit pësojnë lëndime trupore, me ç`rast me rastin e kontrollit të kryer nga ana e Policisë së Kosovës, arma së bashku me dy karikatorë dhe 35 cipë fishekë i sekuestrohen.
Ekziston dyshimi i bazuar se më 6 janar 2023 në Komunën e Shtërpcës, i pandehuri me përdorimin e armës ka shkaktuar rrezik të madhe për jetën e njerëzve, në atë mënyrë që me veturën e tij në pamundësi që të kyqet në rrugën që dërgon në Qendrën e Skijimit, i njëjti kthehet në drejtim të Shtërpcës dhe me revole shtënë pesë herë në ajër.
Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.
Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.