Huthët marrin përgjegjësinë për shpërthimin në Tel Aviv
Rebelët e Huthëve të Jemenit e kanë marrë përgjegjësinë për atë që duket se ka qenë sulm me dronë në qendër të Tel Avivit në orët e para të së premtes, duke lënë të vrarë një burrë dhe duke plagosur disa të tjerë, ka thënë ushtria izraelite.
Shpërthimi, i cili nuk ka aktivizuar alarmet e mbrojtjes ajrore, ka ndodhur disa orë pasi ushtria izraelite e ka konfirmuar se e ka vrarë një komandant të lartë të milicisë së Hezbollahut, në jug të Libanit.
Si Hezbollahu, ashtu edhe rebelët e Huthëve, përkrahen prej Iranit.
“Një hetim fillestar tregon se shpërthimi në Tel Aviv është shkaktuar nga rënia e një objektivi ajror dhe nuk janë aktivizuar sirenat. Incidenti është nën hetim të detajuar”, ka thënë ushtria përmes një deklarate.
Sulmi në Tel Aviv pritet të rrisë shqetësimet për mundësinë e përhapjes së luftës në Gazë, pasi Huthët dhe rrjetëzime tjera iraniane janë me Hamasin, grupin palestinez që udhëheq Gazën.
Hamasi është shpallur grup terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian.
Ushtria ka thënë se nuk e ka rritur mbrojtjen ajrore izraelite mbi Tel Aviv, ndonëse kryetari i këtij qyteti – qendrës ekonomike të Izraelit – e ka rritur alarmin në nivelin më të lartë.
Një zëdhënës i Huthëve të Jemenit, ka thënë se grupi e ka sulmuar Tel Avivin me dronë dhe do të vazhdojë të shënjestrojë Izraelin, në shenjë solidarizimi me palestinezët, për shkak të luftës në Gazë.
Shërbimet izraelite të emergjencës, kanë thënë se trupi i një 50-vjeçari është gjetur i vdekur në një apartament afër vendit të shpërthimit.
Izraeli ka shkëmbyer raketa me Hezbollahun në Liban pothuajse në baza ditore, prej nisjes së luftës në Gazë.
Lufta e nisur më 7 tetor të vitit të kaluar është nxitur prej Hamasit, pasi militantët e grupit kanë kryer sulme në jug të Izraelit, duke lënë të vrarë mbi 1.200 izraelitë dhe duke marrë peng rreth 240 të tjerë.
Rreth 116 pengje besohet se janë ende në Gazë, përfshirë 42 që ushtria izraelite beson se janë të vrarë.
Izraeli, më pas, ka nisur fushatë në Gazë për të shkatërruar Hamasin.
Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit në atë rajon janë vrarë më shumë se 38.000 palestinezë, raportojnë autoritetet shëndetësore palestineze. /REL