HYJNIZIM PËR NËNËN
Sabile Keçmezi-Basha
Në flokun e nënës sime
Kaherë ka rënë borë
Buzëqeshja në fytyrë si relikt i ka mbetur
Në pasqyrë rrallë
Shumë rrallë shikohet
Thotë se pasqyra e përqesh
Shoqet i numëron në gishta
Fjalëpakë është me fëmijët
Çudi
Edhe përrallat i kanë sosur
Fustanet e shumta i ka falur
Disa po i zvogëlohen gjatë natës
Thotë, të dal jashtë mode janë
Nënës sime
Për çdo ditë të lume
Këmbët po i shkurtohen
Këpucët të mëdha po i bien
Gishtat po i zgjaten
Dioptria e syve të zinj
Iu ka shtua çmendurisht
Nganjëherë
As mua nuk më thirrë në të njëjtin emër
Flet qetësisht pa iu trembur çerpiku
Nëna ime
Me shumë naze e bënë hapin
Nipërit me engjëj i krahason
Zhig më mbetet
Të dijë
Se cilën këngë e këndon në heshtje
Nëna ime
Sokëllimat i ka të rralla
Lëkura e duarve në harta iu ka shndërruar
Më as lot nuk ka
Edhe buzagazi rrallë i duket në fytyrë
Më tha mbrëmë
Ku ishe ti
Kur desha të dali nga ëndrra
Nëna ime
E dashura nëna ime
Edhe në këto vite të vona
Si gjithmonë
Qëndron vertikalisht
26 gusht 2022