Hykmete Bajrami: Ende nuk kam vendosur nëse do të jem pjesë e garës zgjedhore për deputete
Ministrja e Financave, njëherësh anëtare e Kryesisë së LDK-së, Hykmete Bajrami, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e listës për deputete në zgjedhjet e reja parlamentare.
“Në këtë periudhë jam tejet e angazhuar në ministri sa i përket përmbylljes së punëve të këtij viti fiskal. Për çështjen e garës zgjedhore ende nuk kam vendosur”, ka thënë Bajrami.
Kur është pyetur se cilat janë pritjet e saj për LDK-në në zgjedhjet e reja, pa Vjosa Osmanin, Bajrami ka theksuar se LDK-ja ka një elektorat të emancipuar që njeh mirë filozofinë e saj.
“LDK-ja është një parti me traditë të gjatë politike dhe me një elektorat të emancipuar. Elektorati i saj e njeh mirë filozofinë e LDK-së si një parti shtetformuese nga e cila pritet që ta vazhdojë tutje misionin e saj të fuqizimit të institucioneve, konsolidimit të shtetësisë së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka deklaruar Bajrami.
(A.M / Epoka e re)