Hykmete Bajrami i reagon Kurtit: Pavarësisht rezultatit, do të vazhdoj të demaskoj propagandën

11 shkurt 2025 | 20:19

Nënkryetarja e LDK’së, njëherit kandidate për deputete nga kjo parti, Hykmete Bajrami, ka bërë reagimin e parë në rrjete sociale pas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, ku LDK renditet e treta.

Bajrami ka falënderuar të gjithë ata që kanë votuar këtë parti, teksa ka thënë se pavarësisht rezultatit, “do të vazhdoj të demaskoj propagandën, ashtu siç e kam bërë deri më tani”.

Ajo ka reaguar për një postim të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për të cilin ka thënë se tash e pesë vite me qëllim e keqinterpreton raportin e “Transparency International”.

Duke iu referuar postimit të Kurtit, Bajrami ka thënë se Kosova s’ka bërë progres as në luftën kundër korrupsionit dhe as në rritjen e transparencës, teksa ka përmendur “2 mijë e 123” kontrata që thotë se janë nëshkruar me negocim.

“Ndërsa renditja në pozitën 73, sipas ”Transparency International”, nuk tregon përmirësimin e Kosovës në luftën kundër korrupsionit. Renditja 73/180 tregon se ku qëndron Kosova në raport me 180 shtete të tjera që janë pjesë e kësaj matjeje, ku disa kanë regres, e disa kanë progres. Kjo do të thotë se, nëse të tjerët përkeqësohen dhe Kosova nuk ka asnjë përmirësim, renditja e saj përmirësohet. Shpesh ndodhë të renditesh më mirë, por jo pse ke bërë diçka, por sepse të tjerët kanë pasur regres dhe anasjelltas”, ka shkruar Bajrami.

Tutje ajo ka thënë se indeksi që tregon përmirësim është ai që shënon 44 pikë (2024).

“Sipas ”Transparency International”, Kosova ka pasur 39 pikë në 2017, 41 në 2023 dhe 44 pikë në 2024. Pra, për 8 vite progresi është vetëm 5 pikë, jo siç e interpreton Kurti “10 vende për një vit e 31 vende për një mandat””, ka shkruar ajo.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forca të Policisë së Kosovës kanë hyrë brenda sallës “1…