Hykmete Bajrami ia liston një nga një dështimet qeverisë Kurti

12 tetor 2022 | 13:43

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 100-të të qeverisë ka thënë se nën drejtimin e ekzekutivit kanë shënuar rekord ekonomik.

Me një vlerësim të tillë nuk është pajtuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, e cila ka thënë se konstatimet e Kurtit janë propagandë.

“Faktet janë kokëforta. Me propagandë erdhët në pushtet por tani jeni në qeveri, tani i keni krejt, tani ka kaluar koha kur qytetarët ju kanë vlerësuar sipas fjalimeve dhe frazave të bukura, ku me duhet ta pranoj që jeni i pakonkurrent”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”.

Postimi i plotë i Bajramit:

Realiteti paralel i z. Kurti

Prej frazës për “zhvillim ekonomik të pashembullt” e “shumë shpejtë do ta zëmë Kroacinë” sot është lansuar perla e re e zotit Kurti “po ja thyejmë rekordet vetës”.

Cilat rekorde kryeministër?

Faktet janë kokëforta. Me propagandë erdhët në pushtet por tani jeni në qeveri, tani i keni krejt, tani ka kaluar koha kur qytetarët ju kanë vlerësuar sipas fjalimeve dhe frazave të bukura, ku me duhet ta pranoj që jeni i pakonkurrent.

Zoti kryeministër,

Realiteti është ky: Fondi Monetar Ndërkombëtar ka bërë rivlerësime dhe thotë se rritja ekonomike në Kosovë për vitin 2022 nuk mund të kaloj 2.7%.  Në anën tjetër Agjencia e Statistikave të Kosovës publikojë më herët raportin ku tregoj se rritja ekonomike në tremujorin e dytë të këtij viti ishte vetëm 2.14%.

Na trego të lutem, prej kur na qenka progres ekonomik rritja 2.7%, cilin rekord e keni thyer këtu?

Megjithatë ka disa “rekorde” të cilat janë thyer dhe këto janë:

Inflacioni sipas Bankës Botërore 19.1%, sipas Agjencisë së Statistikave 12.7%. Si rezultat i rritjes së çmimeve janë rritë të hyrat nga Dogana dhe ATK-ja. Qeveria ka marrë tatime e taksa nga qytetarët e bizneset dhe po i mbani në llogari, po i lë të zhvlerësohen.

42 mijë qytetarë kanë emigruar vetëm vitin e kaluar. Sipas sondazheve të këtij viti, çdo i dyti qytetar dëshiron të ikë nga këtu.

Rekord keni thyer edhe me mos punë: Investimet kapitale janë më të ulëtat që nga shpallja e pavarësisë.

Rekord keni thyer edhe në shëndetësi: Shëndetësia është përkeqësuar, e thonë mjekët dhe pacientët që asnjëherë s’ka qenë më keq. Ketë e dini dhe ju se keni marrë funksion ekzekutiv tani.

Rekord është thyer edhe në thëllimin e bilancit tregtar (2021: 3.9 mld. deficiti tregtar d.m.th. 4.6 mld. importe) e Serbia është kthyer si partneri kryesor tregtar.

Po thoni që keni krijuar 40 mijë vende pune. Nuk është e vërtetë. Në vitin 2021 sipas raporti të ZKA-së 62,417 persona kanë qenë të angazhuar në zgjedhjet lokale dhe nacionale si dhe plot 42,000 kanë emigruar, ndikim ky i drejtpërdrejt i uljes së shifrave të atyre që kërkojnë punë.

Rekord keni thyer edhe bilancin bankar. Qeveria në vend që t’i ketë në qarkullim po i mban të bllokuara rreth 700 milionë euro, të cilat janë zhvelërsuar për 140 milionë euro, për shkak të rritjes së çmimeve.

Keni thyer të gjitha rekordet në keqmenaxhimin e krizës energjetike. Reduktime në gusht, asnjë kontratë për furnizim me energji, kanë dështuar remontet e blloqeve edhe vitin e kaluar por këtë vit dështimet janë edhe më të mëdha.

Duhet të përmendet gjithashtu ngritja e çmimit të rrymës në fillim të këtij viti: 85% tarifa e lartë dhe 104% tarifa e ulët, mungesa e investimeve të huaja, ikja e të rinjve, sidomos fuqisë së kualifikuar punëtore, ikja e mjekëve, greva në arsim dhe në administratë publike, krimi/dhunimet, kontratat e negociume/korrupsioni, arrestimet në rastin Brezovica/lidhjet me VV-në, nepotizimi në punësime – asnjëherë deri me tani nuk janë marrë parasysh rekomandimet e kompanisë britaneze për punësime në pozita të larta etj.

Gjendja ekonomike nuk është e mirë vetëm pse Kryeministri thotë ashtu, as nuk është e rëndë pse opozita e cilëson si të tillë. Gjendja ekonomike është e rëndë sepse të tillë po e përjetojnë çdo ditë qytetarët e vendit  të cilëve përveç të tjerave që një nga fillimi i vitit u është zvogëluar fuqia blerëse për së paku 20%.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shkruan: Safet Gërxhaliu Në Kosovë shumë më tepër flitet për…