Hykmete Bajrami: Qeveria Haradinaj e varur nga Lista Serbe
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka deklaruar në “Info Magazine” të “Klan Kosovës” se Qeveria e Ramush Haradinajt qysh nga dita e parë ka qenë e varur nga Lista Serbe dhe kështu vazhdon të jetë.
“Kemi pritur me orë të tëra derisa Lista Serbe të vijë nga Beogradi dhe ta votojë kryeministrin Haradinaj”, ka thënë Bajrami.
Ajo ka pohuar se LDK-ja vazhdimisht ka pasur pak besim që Qeveria e Haradinajt mund të lëvizë proceset e rëndësishme për vendin.
“Gjithmonë kemi qenë skeptikë se do të kemi një qeveri që do të mund t’i çojë proceset përpara. Varësia nga Lista Serbe është shpërfaqur që nga dita e parë. Koalicioni qeverisës sot është pakicë në Kuvend dhe pozicioni i Listës Serbe është shantazhues. Gjithashtu kemi parë mosfunksionim të Kuvendit. Është shume e rrezikshme që për çdo vendim në kuvend të varesh nga Lista Serbe. Prandaj, kriza institucionale po shfaqet në forma të ndryshme”, ka thënë Bajrami.