Hykmete Bajrami: Rezultatet e manipuluara se ndryshojnë gjendjen në terren, sonte publikojmë anketën me 17 mijë respondentë
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj sondazhit të publikuar, i cili LDK-në e nxjerr si partinë e tretë në vend.
Bazuar në një sondazh të UBO Consulting, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka kryesuar në vend të parë me 48.5 për qind, ndërsa partia e dytë që është listuar me 18.2 për qind është Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Sipas kësja ankete LDK-ja është me 17.9 për qind. Pas këtyre partive pason AAK e cila rezulton të ketë 6.8 për qind.
Bajrami ka shkruar në Facebook se “asnjë sondazh, asnjë rezultat i manipuluar, asnjë rezultat i konstruktuar nuk e ndryshon gjendjen në terren”.
“Qytetarët po pyesin ku janë ndërtuar 160 çerdhet, çka po ndodhë me faturat e energjisë elektrike, kur do të ndërtohen 4000 banesat për çiftet e reja, kur do të shkarkohet Martin Berishaj, a luftohet korrupcioni me 2140 kontrata me negocim të drejtëpëdrejtë, kur do të vjen njohja e parë nga ana e kësaj Qeverie, kur do të bëhet vetingu në drejtësi”.
“Këto dhe shumë pyetje tjera kërkojnë përgjigje nga partia që punë të vetme e ka propagandën dhe manipulimin. Lidhja Demokratike e Kosovës, i ka matjetjet e vet, me dhjetra mijëra anketa janë bërë deri me tani dhe rezultatet janë tepër inkurajuese për ne. Qytetarët e vendit krahas propagandës së partisë në pushtet kanë programin konkret të Lidhjes Demokratike ”Rruga e Re”. Sonte do t’i publikojmë të dhënat e anketës me 17000 respondentë vetëm në disa komuna”, ka thënë Bajrami.