Hykolli: Jemi të pakënaqur dhe nuk e pranojmë këtë projektligj për paga

16 shkurt 2022 | 18:35

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se janë të pakënaqur me projektligjin për paga, duke shtuar se nuk e pranojnë atë.

“Ne konsiderojmë se jemi partnerë socialë të Qeverisë së Kosovës dhe konsiderojmë që duhet të merren parasysh kërkesat tona, kërkesat e federatave të BSPK-së. Ne atë ditë në takim e patëm një pjesë të projektligjit, por jo edhe versionin fillestar të projektligjit, që është shumë i rëndësishëm dhe e qartëson mirë projektligjin për paga. Tash jemi të pakënaqur dhe nuk e pranojmë këtë projektligj, sepse ky bëhet një herë dhe me të drejtë federata sindikale ka paraqitur edhe shqetësimet e tyre”, ka thënë Hykolli në Info Magazine, njofton Klankosova.tv.

Sipas Hykollit, me këtë Ligj për Paga është diskriminuar një pjesë e punëtorisë së Kosovës.

“Edhe ne po besojmë dhe shpresojmë që ky ligj nuk është përfundimtar, përndryshe jemi zotuar që ta përmbyllim këtë proces drejt dhe do të jemi shumë besnikë ndaj anëtarësisë sonë, domethënë për punë të njëjtë do të ketë pagë të njëjtë. Me Ligjin e Pagave është diskriminuar një pjesë e punëtorisë së Kosovës”, ka shtuar ai.

Hykolli tha se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura është zotuar të përkujdeset që projektligji për pagat të përgatitet asisoj që kjo fushë të rregullohet njëherë e përgjithmonë.

“Ne kemi dëshirë që ky ligj të ketë qëndrueshmëri juridike dhe të jetë i kuptueshëm nga ana gjyqësore. Ne kemi paraqitur në takimin e parë vërejtjet paraprake, juridike dhe gjuhësore në tekstin fillestar të projektligjit. Ne jemi shumë të interesuar që ky ligj të ecë përpara, shumë të interesuar të përgatitet mirë dhe të shkojë në kuvend për miratim”, ka vazhduar ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se është i…