Hykolli: Jemi të shqetësuar me raportet e reja të prezantuara nga ZKA-ja përkitazi me gjetjet në AKP
Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se janë të shqetësuar me raportet e reja të prezantuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit përkitazi me gjetjet në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.
“Jam i shqetësuar si kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, me raportet e reja të prezantuara nga Zyra Kombëtare e Auditimit përkitazi me gjetjet në Agjencinë Kosovare të Privatizimit. Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, gardiani i të drejtave dhe interesave të punëtorëve në Republikën e Kosovës, raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit e sheh si sinjal të mirë për ta vënë në veprim Partnerin tonë Social – Qeverinë e cila duhet të ndërmarrë të gjitha hapat e duhur kushtetues e ligjor në mbrojtje të së drejtës pronësore të punëtorëve ndërlidhur me asetet e ndërmarrjeve shoqërore të cilat po tjetërsohen dita ditës duke ia zvogëluar mjedisin e shëndetshëm të punës punëtorëve në Republikën e Kosovës”, ka thënë Hykolli.
Tutje ai thekson se gjëra si këto kur preket siguria dhe prishet mjedisi i shëndetshëm i mirëqenies ekonomiko-sociale të punëtorëve nuk duhen mbuluar, por përkundrazi duhen qartësuar.
“Kur jemi te qartësimi thërrasim Partnerin tonë Social – Qeverinë që të ndërmarrë të gjitha masat e duhura për të vënë në binarë punën e Agjencisë Kosovare të Privatizimit së cilës i janë dhënë në mirëbesim asetet shoqërore – pronat e punëtorëve që janë ngritur me mund e djersë”, ka deklaruar kryetari i BSPK-së, Atdhe Hykolli.