Hyn në fuqi Ligji për ndalimin e lojërave të fatit
Nga dita e premte, ka hyrë në fuqi zyrtarisht Ligji për ndalimin e lojërave të fatit, i cili ndalon funksionimin e bizneseve të lojërave të fatit për 10 vjet.
Lajmin e ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë”, Valentina Bytyqi- Sefa, zëdhënëse në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).
“Me shfuqizimin e këtij ligji, shfuqizohen edhe kompetencat që ka pasur ATK-ja për monitorimin dhe licencimin e subjekteve që kanë ushtruar veprimtarinë e lojërave të fatit. Pas datës 10 maj, për çdo subjekt që nuk i përmbahet ligjit, i cili ndalon aktivitetin e lojërave të fatit, do të merren organet e rendit dhe të drejtësisë”, ka thënë Bytyqi.
Ligji që ndalon lojërat e fatit është propozuar nga Qeveria e Kosovës, kurse është miratuar në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës me 28 mars të këtij viti.
Vendimi për mbylljen e lojërave të fatit është marrë, pasi në dy kazino në qytete të ndryshme të Kosovës, u patën vrarë dy persona.