Hyn në fuqi marrëveshja e ekstradimit në mes të Kosovës dhe ShBA-së
Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka bërë me dije se nga zyrtarë të lartë të shtetit amerikan tashmë ka pranuar letrën e nënshkruar nga presidenti i ShBA-ve, Donald Trump, dhe nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, përmes së cilës konfirmohet hyrja në fuqi e marrëveshjes së ekstradimit në mes dy vendeve.
Tahiri përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo marrëveshje shënon një akt historik në marrëdhëniet dypalëshe mes Kosovës dhe ShBA-së dhe është garanci e mëtejme se sundimi i ligjit është i paalternativë dhe lufta kundër krimit do shkojë deri në fund.
“Pesha historike e kësaj marrëveshjeje, me vulën e Presidentit Trump, do të lë gjurmë në historinë e shtet ndërtimit tonë dhe do ta markojë Republikën e Kosovës në rangun e një vendi, në të cilin prijësit e demokracisë liberale dhe sundimit të ligjit kanë besim të plotë”, ka shkruar Tahiri.
/Epoka e re/