
Hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë në mes të Kosovës e Turqisë
Marrëveshja e tregtisë së lirë ndërmjet Kosovës dhe Turqisë ka hyrë në fuqi gjashtë vjet pas nënshkrimit të saj.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka nënshkruar një dekret që ratifikon marrëveshjen, me kërkesë të ministrit të Jashtëm, Behxhet Pacolli, në prill të këtij viti.
Marrëveshja e tregtisë së lirë parashikon heqjen e tarifave doganore për një numër të madh të produkteve, kryesisht industriale, të cilat do të kenë një çmim më të ulët për konsumatorët.
Qëllimet e marrëveshjes, siç thuhet në të, janë rritja dhe përmirësimi i bashkëpunimit ekonomik midis Kosovës dhe Turqisë, përmirësimi dhe zgjerimi i tregtisë dypalëshe, heqja e pengesave dhe kufizimeve në tregtinë e mallrave dhe shërbimeve, si dhe krijimi i kushteve të barabarta për konkurrencë.
Marrëveshja është nënshkruar në vitin 2013 nga ish-ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, dhe ish-ministri turk i Ekonomisë, Zafer Gjaglajan.
Turqia është një nga importuesit kryesorë në Kosovë.