Hyn në fuqi marrëveshja ‘pa kufi’ Shqipëri-Kosovë, pika në Morinë me fluks të madh të qytetarëve
Prej ditës së mërkurë, ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes, sipas të cilit, qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës do të kalojnë përmes pikës kufitare të përbashkët Shqipëri-Kosovë me procedura të shpejtuara, përgjatë 9 muajve të vitit dhe në fundjavat e festave.
Më herët, kjo periudhë e lehtësimit të lëvizjes ishte në 4 muajt e verës. Qytetarët e Kosovës që kanë zgjedhur të udhëtojnë sot thonë se zbatimi i kësaj marrëveshjeje lehtëson ndjeshëm kalimet në kufi.
Ndërkohë, në orët e para të ditës së sotme, pika doganore e Morinës është përballur me një fluks të madh udhëtarësh nga Kosova, të cilët udhëtonin drejt Shqipërisë për të festuar Ditën e 1 Majit, por edhe për të kaluar disa ditë pushimi.
Vetëm në orët e para të ditës së sotme, nga Kosova kanë hyrë në Shqipëri rreth 5 mijë shtetas të Kosovës dhe 3 mijë mjete të vogla e dhjetëra autobusë./A2CNN