Hyn në fuqi marrëveshja për njohjen e patentëshoferëve mes Kosovës dhe Italisë
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), ka njoftuar se, nga sot, ka hyrë në fuqi zbatimi i marrëveshjes reciproke për njohjen e patentë-shoferëve mes Kosovës dhe Italisë.
Njohja e patentëshoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike, bëhet e ditur në njoftim.
“Njohja e patentë-shoferëve u mundëson qytetarëve të bëjnë konvertimin e dokumenteve pa pasur nevojë të nënshtrohen procedurave shtesë, as nga pjesa teorike, as nga pjesa praktike. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje është një hap i rëndësishëm drejt integrimit të qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Republikën e Italisë. Njëkohësisht, kjo marrëveshje do të lehtësojë barrën ekonomike për qytetarët që kanë nevojë ta ndërrojnë dokumentin. Finalizimi i këtij procesi është një hap i rëndësishëm për vendin tonë dhe qytetarët tanë, sepse me këtë rast do të riafirmohen raportet e shkëlqyera që gëzojnë Republika e Kosovës me Republikën e Italisë”, ka njoftuar MPB-ja.