Hyn në vitin e tretë lufta në Ukrainë
Kanë kaluar dy vite që nga fillimi i luftës në Ukrainë. Konflikti që në fillimet e tij nuk shkoi sipas planit që Putin kishte në mendje. Përkundrazi Kremlini pësoi humbje të mëdha pa qenë në gjendje të mposhtte ukrainasit.
Ideja fillestare e Moskës ishte të kryente një ndërhyrje ushtarake të shkurtër duke i dhënë një goditje ushtrisë së Kievit, gjë që do të demoralizonte vullnetin e saj për të rezistuar.
Ishte pothuajse e sigurt që amerikanët shumë shpejt do të fillonin dërgesat e armëve, por Putin nuk e kishte menduar që Perëndimi do të ishte bashkuar i gjithi kompakt në mbështetje të plotë të Ukrainës dhe se kjo mund të kishte shkaktuar një konflikt të zgjatur.
Ndërsa Rusia ishte përballë një lufte agresioni, Ukraina ishte në mbrojtje të vendit ndaj dhe morali i saj në vitin e parë qe tejet i lartë. Misioni ishte mbrojtja e territorit dhe shtyrja e rusëve përtej kufijve.
Nëse viti 2023 filloi me optimizmin e fitoreve ushtarake në rajonin Kherson dhe në jug të Kharkivit, qershorin e kaluar në Kiev dhe mes aleatëve të Frontit Perëndimor, thuajse u mor si e mirëqenë se deri në fund të vitit, trupat ukrainase do të ishin në gjendje të diktonin kushtet për një paqe në favor të tyre, duke synuar më tej kontrollin e Krimesë.
Por kundërofensiva që duhej të korrte suksese në vjeshtë, nuk pati rezultatet e duhura. Për të mos thënë që ishte një dështim.
“Ukraina nuk ka rezervat ushtarake, ekonomike dhe demografike që ka Rusia. Duhet të synojmë një fitore të shpejtë. Nëse deri në tetor nuk kemi arritur rezultate të rëndësishme në fushën e betejës, do të jemi në vështirësi serioze”, parashikoi historiani Yaroslav Hrytsak në prill.
Dhe në fakt gjendja aktuale nuk lë hapësirë për shumë optimizëm. Muajt e fundit duket se nuk ka asnjë lëvizje në front. Vetë presidenti Volodymir Zelensky pranoi se nuk ka pasur suksesin e dëshiruar në terren.
Jemi përballë një armëpushimi de facto që tregon lodhjen e palëve. Rusia vazhdon të pushtojë 18-20 për qind të territorit të Ukrainës.
Nëse uniteti i Perëndimit në 2022 vazhdoi gjatë gjithë vitit 2023, së fundmi ka filluar të lëkundet. U pa me paketën e re të ndihmës ushtarake amerikane të bllokuar nga Kongresi dhe BE-në e mbajtur peng nga Hungaria.
Në Ukrainë sinjali më i dukshëm i valës së pesimizmit zhgënjyes shihet kryesisht te rekrutimet. Zëra të ndryshëm flasin për të rinjtë që shmangin daljet natën nga frika se mos rekrutohen me forcë nga patrullat. Tërësisht e ndryshme situata nga muajt që pasuan pushtimin rus të 24 shkurtit 2022, kur qindra mijëra vullnetarë mbushën qendrat e rekrutimit në të gjithë vendin.
Nuk mungojnë të shihen edhe shenja të tjera serioze, përfshirë krizën ekonomike, rritjen e numrit të njerëzve invalidë nëpër rrugë, debatet publike midis Volodymyr Zelensky-t dhe Shefit të Shtabit, Valeriy Zaluzhnyi, pasi ky i fundit deklaroi për revistën “The Economist” në nëntor që lufta ishte “në ngërç kërcënuar nga burimet e shtuara ruse”, shkarkimet brenda radhëve të ushtrisë nga Zelensky.
Sido që të jetë edhe pala ruse nuk mund të fshehë dobësitë e saj. Duhet kujtuar gjithmonë se plani i madh i Putinit për të kapur Kievin dhe aneksuar Ukrainën dështoi që në ditët e para të luftës. Ndërkohë, nëse Ukraina nuk është e fortë, Rusia nuk është shumë më mirë.
Sipas vlerësimeve të NATO-s, ushtarët rusë që vazhdojnë të vdesin dhe mbeten të plagosur janë të paktën dyfishi i ushtarëve ukrainas. Nga të gjitha llogaritë, humbjet ruse janë mbi 300 mijë njësi.
Sulmet ruse në shkallë të gjerë në Ukrainën lindore janë zmbrapsur vazhdimisht. Flota ruse e Detit të Zi thuajse u dëbua nga Sevastopoli pavarësisht mungesës së fuqisë ajrore dhe marinës të Ukrainës, ndërsa sulmet me dron në brendësi të Rusisë çuan luftën në shtëpi për qytetarët rusë për herë të parë.
Putin censuron dhe fsheh mospajtimet e brendshme. Por ato janë. Kriza me milicinë mercenare Wagner korrikun e kaluar zbuloi akoma më shumë dobësitë brenda regjimit. Forcat ajrore ruse sido që të jetë, pothuajse nuk guxojnë të hyjnë në qiejt e Ukrainës. Mbrojtja ajrore e Ukrainës, kundër të gjitha gjasave, kundërshtoi forcat ajrore ruse.
Në përgjithësi gjithsesi, Ukraina ka arritur shumë më tepër nga sa prisnin shumica e vëzhguesve kur shpërtheu konflikti.
Putin ndërkohë do të shmangë operacione të rëndësishme, të paktën deri në rizgjedhjen e tij në mars.
Tani për tani, sipas të gjithë analistëve, nuk ka asnjë zgjidhje diplomatike në horizont. Janë armët ato që ende diktojnë ligjin me ushtrinë ruse në mbrojtje të territoreve të pushtuara në Jug-Lindje, nga Krimea në Donbass.
Asnjëra nga palët nuk dëshiron të ulet në tavolinën e negociatave.
Sipas Michael Clarke, ish-drejtor i përgjithshëm i Institutit Royal United Services “viti 2024 duket të jetë një vit konsolidimi për Kievin dhe Moskën. Rusisë i mungojnë pajisjet dhe personeli ushtarak i trajnuar për të nisur një ofensivë strategjike të paktën deri në pranverën e vitit 2025 dhe Ukraina është e varur nga ndihma financiare dhe ushtarake perëndimore për të qëndruar në luftë vitin e ardhshëm”.
Ben Hodges, ish-komandanti i forcave amerikane në Evropë, thekson se Rusisë i mungojnë aftësitë vendimtare për të thyer vijën e frontit dhe do të bëjë ç’është e mundur për të ruajtur atë që aktualisht ka tani, duke përdorur kohën për të forcuar mbrojtjen e saj.
Kështu që në muajt e ardhshëm Ukraina do të duhet të jetë në gjendje të rindërtojë njësitë e shkatërruara nga luftimet me muaj, të bëjë rekrutimit më efektiv, të rrisë prodhimin e municioneve dhe armëve, të përmirësojë aftësinë e saj për të operuar kundër aftësive elektronike të forcave ruse.
Shkurti hyri me “këmbë të mbarë” për Ukrainën.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian ranë dakord unanimisht për një paketë ndihmash prej 50 miliardë dollarësh, duke tejkaluar kështu kundërshtitë e mëparshme nga Hungaria. Ukrainës iu sigurua në këtë mënyrë një financim i qëndrueshëm dhe afatgjatë, ndërsa BE-ja përcjell një mesazh të fortë uniteti.
Më 7 shkurt 2024, Zelenskyy shkarkoi komandantin e përgjithshëm të Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi. Lëvizja pritej gjerësisht pasi Zaluzhnyi thuhej se ishte përgjegjës për kundërsulmin e pasuksesshëm të Ukrainës në vitin 2023 dhe dyshohej se kishte ambicie presidenciale. Ai u zëvendësua nga Oleksandr Syrskyi, i cili më parë shërbeu si komandant i forcave tokësore të Ukrainës.
Më 17 shkurt, Syrskyi urdhëroi forcat ukrainase të tërhiqeshin nga Avdiivka, një qytet në rajonin e Donetsk që Ukraina e kishte fortifikuar për gati një dekadë, dhe i cili ishte në shënjestër të një operacioni rus që nga tetori 2023.
Zelenskyy fajësoi aleatët perëndimorë për situatën, duke thënë se ata kishin krijuar një “deficit artificial të armëve” për Kievin.
Ndërsa, deri në verë Ukraina do të jetë në gjendje të përdorë F-16 për herë të parë dhe forcat e Kievit do të bëjnë gjithçka që është e mundur për vështirësuar menaxhimin e Krimesë për Rusinë.
Kështu që 2024 me shumë gjasa nuk do të jetë viti i fundit të luftës në Ukrainë.