Hysaj, afër Juventusit
E ardhmja e Elseid Hysaj është larg Napolit. Në fakt prej shumë muajsh po flitet për një largim të mbrojtësit të përfaqësueses shqiptare nga skuadra napoletane me 25-vjeçarin që e ka humbur protagonizmin në fushën e lojës.
Kohët e fundit në Itali është folur për bisedimet me klubet spanjolle të Atletiko Madrid dhe Valencias, por që dështuan në të dyja rastet.
Së fundmi po në medien italiane është shfaqur ideja e shkëmbimit mes Hysajt dhe de Sciglios së Juventusit. Hysaj te Zonja e Vjetër do të takohet me ish trajnerin e tij, Maurizio Sarri me të cilin ka punuar te Empoli dhe që e mori me vete edhe te Napoli. ishte pikërisht periudha e Sarrit ajo kur Elseid Hysaj bëri edhe paraqitjet më të mira në fushën e lojës aq sa shtyu presidentin De Laurentiis që të vendosë një klauzolë për të prej 50 milionë eurosh.
Por pas ardhjes së Carlo Ancelottit te Napoli situata ndryshoi për Hysajn që humbi vendin e titullarit dhe kjo duket se po ndodhe edhe me Gattuson që duket se ka dhënë miratimin e tij për këtë shkëmbim. Tani mbetet për t’u parë nëse De Sciglio do të pranojë këtë shkëmbim apo jo, gjë që do ta tregojnë ditët e merkatos së janarit.