Hysaj mund të largohet nga Napoli, opsion për të ardhmen është Sevilla
Mbrojtësi Elseid Hysaj dhe Napoli mund të ndahen shumë shpejt. Pas shkëlqimit në epokën e Sarrit, pozitat e mbrojtësit shqiptar në ekip u dobësuan. Me Ancelottin në bankinë provoi shpesh shijen e stolit dhe për këtë arsye marrëdhënia mes tij dhe klubit u kthye në një telenovelë të vërtetë ku jo pak herë është folur për largimin.
Ardhja e Gattusos në krye të napoletanëve ndezi paksa shpresat për futbollistin shkodran, teksa nisi të kishte më tepër minuta në lojë. Por në momentin kur gjërat duket se po shkonin mirë, Hysaj rikthehet sërish në stol dhe këtë herë një gjë e tillë nuk mund të kapërdihet lehtë.
Mbrojtësi i Kombëtares ka refuzuar rinovimin dhe kontrata e tij me Napolin përfundon në vitin 2021. Ndërkohë në skenë tashmë ka dalë edhe emri i Sevillas, që duket se do të shfrytëzojë këtë situatë dhe të sjellë në Spanjë futbollistin shqiptar. Sipas asaj që raporton “Estadio Deportivo”, klubi andaluzian ka futur në objektivat e merkatos së verës emrin e Elseid Hysajt, ndërsa shitja është mundësia më e mirë që Napoli do të ketë. Në të kundërt vitin tjetër lojtari shkodran do të lërë klubin me parametra 0, që nuk është aspak e pëlqyeshme për presidentin De Laurentis.