Hysaj nuk u driblua asnjëherë në debutimin për Lazion
22 gusht 2021
| 14:43
Lazio e nisi me këmbën e mbarë edicionin e ri të Serisë A, teksa mposhti me rezultatin 1-3 Empolin në transfertë. Ajo që ra më shumë në sy ishte paraqitja mbresëlënëse e mbrojtësit të Kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, teksa ka zhvilluar një super ndeshje.
Një debutim me Lazion pikërisht ndaj ish-skuadrës së tij, Empolit. Sipas asaj që tregon faqja e njohur e statistikave “Sofascore”, Hysaj është vlerësuar me notën 7,6.
Mbrojtësi i Shqipërisë luajti përgjatë gjithë 90 minutëshit teksa ka arritur të fitojë të 6-ta duelet me kundërshtarët, të kapë topin 4 herë dhe duke mos u dribluar asnjëherë, duke bërë kështu një debutim tepër pozitiv për Hysajn.