Hysaj optimist: Mund ta kalojmë grupin në ‘Euro 2024’
Kombëtarja shqiptare mbylli me sukses fazën përgatitore në Austri dhe tani kuqezinjtë janë vendosur në Kaiserau në Kamen ku do të qëndrojnë dhe përgatiten në kuadër të finaleve të Evropianit “Gjermani 2024”, më konkretisht për sfidat ndaj Italisë, më 15 qershor, Kroacisë, më 19 qershor dhe Spanjës, më 24 qershor.
Nga kampi bazë në “SportCentrum Kaiserau” anësori i mbrojtjes së Kombëtares kuqezi, Elseid Hysaj zhvilloi këtë të martë një konferencë për shtyp, nga ku bëri edhe një koment për formën e keqe që po kalon Italia, gjë të cilën e tregoi edhe në miqësoret e qershorit, ndërsa më tej u shpreh se së bashku me shokët e skuadrës duhet të bëjnë maksimumin për të kaluar grupin.
“Italia duket nga jashtë si një skuadër që është në vështirësi dhe i mungon, por nuk është ashtu siç duket dhe këtë gjë e pamë edhe në Evropianin e kaluar, ku fitoi gjithçka. Nuk duhet të harrojmë se Italia ka emra të mëdhenj në Kombëtare dhe falë eksperiencës që kam në Itali ja di kualitetin. Në 2016-ën ishim një tjetër skuadër, nuk mund t’i krahasosh. Tani është hera e dytë për mua Berishën e Abrashin dhe e dimë që mund të bëjmë më tepër se në edicionin e shkuar. Nëse humbim me Italinë është një problem. Mund të kalojmë grupin dhe duhet ta provojmë me patjetër për ta bërë diçka të tillë”, ka deklaruar Hysaj.