Hysaj: Strakosha dhe Reina janë dy portierë të fortë
Mbrojtësi shqiptar i Lazios, Elseid Hysaj, ka thënë se ‘nuk ka dallim’ mes lojës me Thomas Strakoshën apo Pepe Reina pasi, sipas tij, të dy janë portierë cilësorë.
“Biancocelestët” përgatiten të enjten për ndeshjen e tyre në “Olimpico” ndaj gjigantit turk Galatasaray në kuadër të Ligës së Evropës. Lazio është tashmë në fazën tjetër me tetë pikë nga pesë ndeshje, pasi ka një diferencë prej katër pikësh me Marseillen në vendin e tretë. Hysaj beson se Aquile është duke treguar shenja përmirësimi në javët e fundit, por theksoi se duhet kohë për t’u përshtatur me trajnerin e ri.
“Jemi përmirësuar shumë. Ne shënojmë gola. Duhet të mësojmë të mos pësojmë. Duhet kohë për të përthithur të gjitha kërkesat nga trajneri. Nëse doni të luani me një linjë të lartë në mesfushë, nuk mund të humbni asgjë. Ka ndeshje në të cilat jemi të sigurt, të tjera në të cilat pranojmë katër gola. Nuk është mirë. Duhet të jemi më të ngushtë dhe të komunikojmë më shumë”, ka thënë Hysaj.
Mbrojtësi shqiptar u pyet nëse ndryshon diçka kur në portë luan Strakosha apo Pepe Reina, por ish-lojtari i Napolit theksoi se të dy janë portierë cilësorë.
“Nuk ka dallim, ata janë dy portierë të fortë. Njëri ka më shumë përvojë, tjetri ende duhet të rritet”, ka shtuar Hysaj.