Hysaj u bashkohet shqiptarëve te Lazio
Elseid Hysaj është gati të bashkohet me Maurizio Sarrin pas tre vjetësh.
Mbrojtësit shkodran i skadon kontrata me Napolin më 30 qershor dhe është i lirë të vendosë vetë për të ardhmen e tij, që duket se do të jetë në kryeqytetin italian. Te Lazio shkodrani do të gjejë edhe tre shqiptarë të tjerë, Igli Taren, drejtor sportiv, Thomas Strakoshën, portier dhe sulmuesin Vedat Muriqin.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, Hysaj është tashmë vetëm një hap larg bardhekaltërve. Negociatat kanë përparuar, pajtimi është arritur, ndërsa mbetet vetëm të formalizohet ligjërisht kontrata.
Hysaj ka arritur marrëveshje për të firmosur një kontratë katërvjeçare nga e cila shkodrani pritet të përfitojë një pagë pak a shumë të njëjtë me atë që merrte te Napoli, ose rreth 1.6 milion euro neto në vit.