Hysen Gega, legjenda e burgjeve dhe luftës për liri

15 dhjetor 2022 | 21:26

Berat Luzha

Nëpër katrahurat e burgjeve politike të ish-shtetit jugosllav kaluan mijëra veprimtarë të çështjes kombëtare shqiptare.

Burgjet jugosllave, që nga Maqedonia e deri në Slloveni ishin të mbushura me shqiptarë. Në mesin e tyre ishte edhe Hysen Gega, të cilin shokët e burgut ia dhanë epitetin Legjendë e burgjeve jugosllave. Legjendë për qëndrimin e tij stoik para organeve shoviniste serbe – jugosllave?

Kushtet e vështira ekonomike të familjes e kishin detyruar Hysenin ta braktiste shkollën dhe, në rininë e hershme, ta merrte botën në sy, së pari në Beograd e pastaj në Gjermani.

Në Gjermani ka filluar veprimtarinë e organizuar politike, duke u bërë edhe bashkëveprimtar i Jusuf Gërvallës. Veprimtaria e tij përkushtuese politike i kishte rënë në sy edhe UDB-së dhe, me të mbërritur një ditë në atdhe me detyra të ilegalitetit, ishte hetuar dhe, në ditën e fundit të vitit 1980, e kishin burgosur.

Hyseni u burgos dy herë dhe qëndroi nëpër shumë burgje të Jugosllavisë. Në të gjitha burgjet qëndroi i pathyeshëm. Dhe jo vetëm i pathyeshëm, po edhe i pakompromis. Torturat çnjerëzore, trysnia fizike e psiqike nuk e mposhtën asnjëherë.

Në burg ishte i dashur me shokë. I dashur, besnik, i çiltër, i devotshëm, modest. Fjala e tij në bisedat dhe debatet me shokë gjithmonë zinte vend. Ishte i thellë në mendime dhe bënte analiza të thukta politike.

Edhe pse ai vet e përsëriste shpesh se kishte vetëm katër klasë shkollë, aftësitë e tij intelektuale ishin shumë të gjera. Ai e kishte përsosur fort shkollën e jetës, duke u bërë një revolucionar dhe një kryengritës i zjarrtë dhe i pashoq.

Pa asnjë teprim e kemi quajtur “Akademiku pa shkollë”. Akademik, sepse ai mund të krahasohej me secilin intelektual me grada shkencore sa i përket njohurive të përgjithshme.

Dijeninë e kishte fituar veçanërisht përmes leximit të librave e të literaturës së ndaluar, si dhe përmes bashkëveprimit dhe bashkëvuajtjes me shokë të sakrificës e të luftës. Nuk thuhet kot se burgu është shkollë. Dhe, për Hysenin vërtet burgu ishte shkollë.

Që nga rinia e hershme Hyseni ishte rreshtuar në kahje dhe në rrugën e duhur, në rrugën e lirisë. Që atëherë ishte dalzotës i Atdheut dhe pastaj luftëtar i orëve të para, duke ia kushtuar jetën Atdheut. Hyseni ishte ai i cili për Atdhe dha çdo gjë,  nga Atdheu nuk mori asgjë.

Dhe Hyseni nga punëtor fizik bëhet një veprimtar i spikatur politik, njëri nga të burgosurit kryesorë politikë, njëri nga luftëtarët apo tribunët popullor, një idealist dhe një atdhetar i flaktë…

Kam pas nderin që kam qëndruar gjatë kohë, në ditë e vite të rënda të burgut, bashkë me Hysenin. Sa herë gjatë bisedave na mbaronin fjalët, na pyeste me një ironi të lehtë: A u idhnove, a?!

LAVDI JETËS DHE VEPRËS SË HYSEN GEGËS!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zyrtarët më të lartë insitucionalë në Serbi, pas tensioneve të…