Hyseni dhe Limaj pajtohen për koordinim në dialogun e Brukselit
Koordinatori Shtetëror për Dialogun me Serbinë, Skender Hyseni sot ka takuar edhe kryetarin e Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limajn, të cilin e ka informuar për takimin e fundit që ka pasur me zyrtarët e Serbisë në Bruksel.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hyseni ka shkruar se takimi ishte përmbajtjesore, duke shtuar se me liderin e Nismës është pajtuar plotësisht për nevojën e koordinimit të ngushtë dhe bashkërendimit në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin.
“Takimi dhe biseda që pata sot me z. Fatmir Limaj, kryetar i Nismës, ishte tejet përmbajtjesore dhe inkurajuese. Natyrisht, dialogu Kosovë-Serbi në Bruksel ishte në fokus të bisedës. Njoftova z. Limaj me rrjedhën e takimeve. Kishim pajtim të plotë për nevojën a koordinimit të ngushtë dhe bashkërendimit në këtë, dhe të gjitha çështjet tjera të rëndësisë nacionale duke ndërtuar unitet dhe konsensus sa më të gjerë politik dhe social. Vlerësoj tej mase përkushtimin dhe angazhimin e z. Limaj për unitet sa më të fuqishëm politik në Kosovë”, ka shkruar Hyseni.
(M.K / Epoka e re)