Hyseni: Ende nuk e di të ardhmen, oferta kam edhe nga Shqipëria
Sulmuesi Hasan Hyseni vazhdon të jetë i pavendosur për të ardhmen, pasi në njërën anë ka kontratë me klubin e Drenicës e në anën tjetër ka marrë disa oferta interesante në këtë afat kalimtar.
Futbollisti Hasan Hyseni ka kontratë me Klubin e Drenicës nga Skenderaj deri në fund të këtij kampionati, por ofertat që ka marrë në këtë afat kalimtar kanë bërë që ai të mendojë për ndryshim klubi. Hyseni për “Epokën e re” ka thënë se shumë shpejt do të marrë një vendim për të ardhmen, duke lënë të hapur të gjitha opsionet. “Oferta kam nga klubet e Kosovës, por edhe nga ato të Shqipërisë, derisa kontrata ime me Drenicën është edhe gjashtë muaj. Ende nuk kam marrë ndonjë vendim për të ardhmen, por besoj se brenda javës do të vendos se ku do të luaj në pranverë”, ka thënë Hyseni, i cili nuk i ka bërë publike emrat e klubeve që e kanë kontaktuar në këtë afat kalimtar.
Hasan Hyseni nuk pati një edicion të mirë, pasi lëndimi ishte pengesë e tij. Ai është shprehur i lumtur se Klubi i Drenicës ka pasur rezultate të mira, derisa ka paralajmëruar se kuqezinjtë nga Skenderaj në pranverë do të jenë edhe më të fortë. “Në sezonin vjeshtor forma ime nuk ka qenë në nivelin e pritur për faktin se kam pësuar lëndim në miqësore dhe dy muaj kam qenë jashtë fushës, pra vështirë ka qenë ta kap menjëherë ritmin. Në anën tjetër Klubi i Drenicës ka pasur një sezon relativisht të mirë dhe se është brenda objektivit, kurse në pranverë kam besim se ky klub do të shfaqë lojëra edhe më të mira, por edhe pozita në renditjen tabelore do të jetë edhe më e mirë”, ka shtuar Hyseni, i cili me sukses ka luajtur në të kaluarën për dy klubet e Mitrovicës, Trepçën dhe Trepçën ’89. Klubi kuqezi në këtë afat kalimtar ka bërë disa ndryshime, në kryesi, shtab teknik e deri te futbollistët, kurse vlen të ceket se trajnerin Tahir Lushtaku e ka zëvendësuar Gani Sejdiu.
Drenica e përfundoi sezonin vjeshtor në pozitën e gjashtë me 24 pikë, ku nga 17 ndeshje të zhvilluara regjistroi 6 fitore, 6 barazime dhe 5 humbje.
/Veton ZYMBERI/