Hyseni: Hovi i Ferizajt ndalet në Mitrovicë

10 maj 2019 | 11:44

Hasan Hyseni i Trepçës ’89 e ka paralajmëruar Ferizajn se pikët e plota nga ndeshja që zhvillohet sot (e premte) do të mbesin në Mitrovicë.

Futbollisti i Trepçës ’89, Hasan Hyseni, nuk është aspak i shqetësuar me formën e mirë që po kalon skuadra e Ferizajt, e cila në katër ndeshjet e fundit ka shënuar katër fitore. Hyseni të enjten për “Epokën e re” ka thënë se hovi i kësaj skuadre do të ndalet sot (e premte) kur do të përballet me Trepçën ’89 në stadiumin “Riza Lushta”.

“Ndeshja ndaj Ferizajt është e rëndësishme për të dy ekipet. Kundërshtari ynë është në formë të mirë dhe ka një ekip të mirë, por pikët do të mbesin në Mitrovicë. Për ne është shumë e rëndësishme që jemi të kompletuar për këtë ndeshje dhe të gjithë do ta japim maksimumin për të arritur fitore”, ka thënë Hyseni, i cili është shumë i bindur se ’89-shi nuk do të ketë aspak problem mbetjen në elitën e futbollit të Kosovës. “Siç nuk kemi frikë nga kundërshtari i radhës, ashtu s’kemi as nga rënia prej Superligës. Kemi skuadër me potencial të madh dhe nuk do të jemi të rrezikuar nga rënia, kurse synim në këtë edicion e kemi rrëmbimin e Kupës”, ka shtuar ai.

Për ndeshjen që zhvillohet në Mitrovicë ka folur për gazetë edhe një nga lojtarët më të mirë të Ferizajt, Qëndrim Dautaj. Ky i fundit ka thënë se edhe një barazim do të ishte i mirëseardhur për skuadrën e drejtuar nga Bylbyl Sokoli. “Ndeshje e vështirë na pret ndaj Trepçës ’89 për faktin se të dyja skuadrat nuk janë rehat në tabelën e klasifikimit, por ne jemi të vendosur dhe do të angazhohemi që të marrim një rezultat pozitiv”, ka thënë Dautaj.

Aktualisht Trepça ’89 është e pesta në renditjen tabelore me 39 pikë, kurse skuadra e Ferizajt zë vendin e tetë në Superligë me 37 pikë të grumbulluara, dy më shumë se Ballkani dhe tri më shumë se Gjilani që janë në zonën e barazhit. Krahas kësaj ndeshje, sot (e shtunë) zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera të javës së 31-të, kurse takohen: Flamurtari-Drenica dhe Ballkani-Gjilani.

IPKO Superliga

Të premten takohen:
Flamurtari – Drenica
Ballkani – Gjilani
Trepça ’89 – Ferizaj

Të shtunën takohen:
Prishtina – Llapi
Feronikeli – Drita
Liria – KEK-u

Tabela

  1. Feronikeli           30 71 pikë
  2. Llapi                    30 69
  3. Prishtina             30 69
  4. Drita                    30 48
  5. Trepça ’89          30 39
  6. Drenica               30 38
  7. Flamurtari          30 38
  8. Ferizaj                  30 37
  9. Ballkani               30 36
  10. Gjilani                  30 35
  11. Liria                      30 25
  12. KEK-u                   30 1

/Veton ZYMBERI/  

 

 

 

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi bashkë…