Hyseni i reagon Bulliqit: Nuk jemi marrë me shpifje e blerje të votave

21 tetor 2021 | 12:45

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Podujevës, Ekrem Hyseni, ka reaguar pas akuzave për blerje votash nga kandidati i LV-së për kryetar të kësaj komune, Shpejtim Bulliqi.

Ai i ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e kandidatit të LV-së.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se viktimizimi i bazuar në shpifje nuk duhet të jetë arsyetim për humbje të një gare të pastër dhe korrekte.

 

Postimi i plotë i Hysenit:

Të dashur qytetarë,

Nuk është natyrën time të merrem me të tjerët, megjithatë jam i detyruar të reagojë pasi dje, unë dhe ekipi im, jemi apostrofuar si provomues të një fushate të ulët.

Unë dua të sigurojë të gjithë qytetarët e komunës së Podujevës dhe të Kosovës se unë dhe ekipi im gjatë tërë kohës kemi bërë një fushatë pozitive, të fokusuar në program dhe kemi dëgjuar shqetësimet dhe nevojat e qytetarëve.

Në rreth 600 takime me qytetarë anë e mbanë Llapit dhe Gollakut, asnjëherë nuk jemi marrë me kundërkandidatët. Për këtë mund të dëshmojnë afro 20,000 qytetarë që i kam takuar. Asnjëherë nuk jemi marrë me shpifje personale e as me blerje të votave. Asnjëherë nuk kanë qenë në fokus të fushatës sime kundërkandidatët, edhe pse kundërkandidati në fjalë qysh në adresimin e parë, në debatin e parë të fushatës, ka nisur me sulme ndaj integritetit tim dhe të familjes sime.

Integriteti i secilit prej nesh nuk ndërtohet gjatë fushatës zgjedhore por ndërtohet nga veprat tona gjatë tërë jetës.

Për më tepër, akuzat e bëra mbrëmë nuk i kemi dëgjuar para publikimit të rezultatit të votimit në komunën e Podujevës. Viktimizimi i bazuar në shpifje nuk duhet të jetë arsyetim për humbje të një gare të pastër dhe korrekte.

Unë ftojë të gjithë ata që kanë dëshmi për shkelje ligjore dhe parregullsi gjatë procesit zgjedhor që t’i paraqesin dëshmitë pranë organeve të drejtësisë.

Unë siguroj qytetarët e komunës së Podujevës që edhe në raundin e dytë do të bëjë fushatë pozitive dhe të bazuar në program sepse në këtë mënyrë e fituam besimin e qytetarëve tanë me 17 tetor dhe jam i bindur se do ta fitojmë edhe me 14 nëntor.

I juaji

Dr. Ekrem Hyseni

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Reperja Melinda Ademi ka filluar që të bëhet aktive në…