Hyseni: Jemi të interesuar që Gjilanin ta kthejmë në një model të funksionimit të ambientit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni ka paralajmëruar zhvillimin e një strategjie për një ambient të pastër dhe të shëndetshëm në këtë qytet, gjatë një vizite që ka bërë sot në kompaninë ‘Ecohigjiena’, e cila funksionon në partneritet publiko-privat me komunën që prej gati dhjetë vitesh.
Hyseni e ka vizituar këtë kompani me rastin e pranimit të një kontingjenti prej 3 mijë kontejnerësh për përdorim familjar, të madhësisë 120 litra, donacion nga GIZ-i gjerman.
Ai ka thënë se në kuadër të projektit për bashkëpunim me Komunën e Gjilanit, nga GIZ-i gjerman të enjten ka arritur një kontingjent tjetër i kontejnerëve dhe tani do të diskutohet me kompaninë për mënyrën e zhvillimit të mëtutjeshëm të strategjisë së grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.
“Për aq sa jam informuar, mbulimi me shërbime në grumbullimin e mbeturinave është rreth 82 për qind dhe e njëjta gjë duhet të jetë edhe në procesin e pagesës”, ka thënë Hyseni.
Për më tepër, Hyseni ka theksuar se me këta kontejnerë, tani Komuna e Gjilanit duhet të bëhet një model i menaxhimit të mbeturinave dhe i ambientit të pastër e të mirë.
“Ne jemi të interesuar që Gjilanin ta kthejmë në një model të funksionimit të ambientit, në një ambient ekologjik dhe të pastër dhe ky donacion i kontejnerëve është pikënisja fillestare e një strategjie të mirëfilltë e të përbashkët me kompaninë”, ka vlerësuar Alban Hyseni.
Ndërkaq, përfaqësuesi i kompanisë, Senad Ramaj ka thënë se me këtë kontingjent të kontejnerëve, tani secila familje do të ketë një të tillë, prandaj pret që një shërbim i mirë të përcillet edhe me pagesa të rregullta.