Hyseni: Kauzën e asociacionit, Kurti e ka pasur vetëm si instrument për pushtet

23 mars 2023 | 12:13

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Skender Hyseni, ka deklaruar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se është “koha e zbatimit të asociacionit”.

Hyseni ka thënë se më në fund ka dalë e vërteta kur Kurti u ka thënë qytetarëve faleminderit që besuat në kauzat e mija të rrejshme.

“Habitem me befasinë që për shumë kënd solli një deklaratë e Albin Kurtit për themelimin e asociacionit. Duket sheshazi që shumë nga të ‘befasuarit’ paskan pas besuar kohë të gjatë në gënjeshtrat dhe mashtrimet e tij! Ai, Kurti pra, kauzën e asociacionit, njësoj si atë të demarkacionit i ka pas vetëm si instrumente për të fituar pushtetin për të cilin ishte i gatshëm ta kallte Kosovën, madje duke ecur mbi kufoma qytetarësh të pafajshëm dhe të mashtruar”, ka shkruar Hyseni në “Facebook”.

Më tutje, ai ka thënë se arsyeja se pse ka ndodhur kjo është për faktin se Kurti është mbështetur për muri dhe s’ka hapësirë më për asnjë gënjeshtër.

“I mbështetur për muri, të njëjtëve qytetarë , Kurti tani, duke mos pasur hapësirë për gënjeshtra më, ua thotë të vërtetën: “Unë, ua humba një dekadë duke ju mashtruar. Faleminderit që besuat në mashtrimet e mia dhe më sollët në pushtet. Tani që e fitova pushtetin, për herë të parë po ua them të vërtetën. Asociacionin do ta themelojë. Ndoshta edhe diçka më shumë se asociacion. Por ju qytetarët dhe votuesit e mi të dashur prapë do te vazhdoni të më besoni sepse unë prapë do të vazhdojë të ju gënjejë e mashtrojë!”, ka shkruar Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi ka…