Hyseni: LDK-ja s’po di të sillet si parti politike
Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), njëherësh ish-ministër i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ka hedhur kritika ndaj udhëheqjes aktuale të LDK-së, duke thënë se nuk po di të sillet si parti politike.
Hyseni që ka qenë ndër njerëzit më të afërt të presidentit Rugova, ka thënë se kryetarët që kanë pasuar Ibrahim Rugovën nuk kanë arritur ta gëzojnë autoritetin e duhur, andaj ka vlerësuar se për këtë qëllim janë duke ndodhur problemet brenda këtij subjekti politik.
“Nuk është koha kur kemi pasur një autoritet si Ibrahim Rugova i cili ka vendos lehtë, pasi që çdokush e ka përfillur dhe e ka dëgjuar. Sot kemi një situatë tjetër dhe ne duhet ta shohim. Prej një lëvizje gjithëpopullore LDK-ja po rrëshqet drejt profilizimit si parti politike dhe këtu e shoh një defekt të vogël te LDK-ja, sepse ende nuk është mësuar që të sillet si parti politike, më shumë si lëvizje si grupacion”, ka thënë Hyseni.
Ndërsa, për problemet dhe incidentet që e kanë përcjellë LDK-në gjatë procesit të brendshëm zgjedhor, Hyseni ka thënë se kanë ardhur si rrjedhojë e përshtypjes se kjo parti do t’i fitojë zgjedhjet.
“Për LDK-në flasin shumë tash, dhe flasin të gjithë dhe kjo është shenjë e mirë në vetvete është tregues që LDK-ja është e rëndësishme për këtë vend është i pazëvendësueshëm edhe si forcë politike edhe si traditë si trashëgimi, ndonjë fenomen që e përcjellë procesin zgjedhorë sidomos në nivel të nëndegëve dhe degëve unë e shoh si rrjedhim i përshtypjes publike që LDK-ja është partia më e fortë në Kosovë më e madhja dhe si reflektim i përshtypjes se LDK-ja si ti fitojë zgjedhjet. Unë besoj që do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme, prandaj ka një turr njerëzit me çdo kusht të bëhen pjesë e strukturave”, është shprehur Hyseni, duke shtuar se ka një entuziazëm të tepruar i cili nuk do ta dëmtojë LDK-në.
“Unë e shoh vetëm si entuziazëm i tepruar asgjë tjetër, shumë të kalueshëm të dëshirueshëm dhe nuk e besoj që do ta dëmtojë LDK-në në proceset në të cilat po hymë. Është përmbyllur procesi zgjedhor në të gjitha degët. Ka mbetur vetëm edhe një degë e rëndësishme, dega e tretë e Prishtinës, ‘Dega e Ibrahim Rugovës’ po edhe kjo besoj që do të përmbyllet në mënyrën më të mirë të mundshme, për më tutje shohim e bëjmë”, është shprehur ai.
Hyseni nuk ka dashur të përmend emra se kush do duhet të jetë kryetar i ardhshëm i LDK-së.
“Do ta dimë atë ditë kush janë kush është apo kush janë varësisht nga veprimet paraprake që do të bëhen nuk përjashtoj mundësinë e ndonjë marrëveshje paraprake, konsensuale për të ndërtuar struktura të qëndrueshme udhëheqëse të partisë, edhe kryetari edhe kryesia edhe këshilli i përgjithshëm”, ka thënë Hyseni për “Ekonomia Online”.
I pyetur nëse është gatshëm të rikthehet përsëri në ndonjë post ministror, Hyseni ka thënë se do të japë kontributin aty ku i kërkon partia.
“Unë nuk projektoj dëshira, pretendoj të jem praktik dhe pragmatik dhe në veprimin e duhur të bëjë veprimin e duhur sipas rrethanave që ofrohen. Nuk kam projektuar diçka konkrete çdo gjë varet nga situata nga rrethanat që do të krijohen”, është shprehur Hyseni.