Hyseni: Nuk do të ketë marrëveshje të veçanta përderisa s’ka marrëveshje gjithëpërfshirëse

23 korrik 2020 | 18:18

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë, në nivel ekspertësh, janë takuar të enjten në Bruksel në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.

Koordinatori shtetëror për dialog, Skender Hyseni, pas takimit me palën serbe në Bruksel, ka deklaruar se “duket se ka një dozë konstruktiviteti dhe vetëdije që duhet të ecet tutje”.

Megjithatë, ai nuk ka dhënë detaje lidhur me temat konkrete nga takimi i së enjtes, por ka theksuar që ka “pajtim rreth elementëve të caktuar dhe se biseda ka qenë konstruktive”.

“Nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë ai.

Sipas tij, çdo e arritur në këtë proces që mund të zbatohet dhe ka zbatueshmëri, do të ndodhë.

“Mirëpo, ky është një moment i ri. Po flasim për një përmbyllje, prandaj ky proces është skajshmërisht politik”.

“Nuk ka më asgjë teknike, është skajshmërisht politik. Dhe, një ditë kur elementet e marrëveshjes gjithëpërfshirëse të dakordohen në tërësi, do të shihen që janë elementë të një marrëveshjeje, së cilës i subordinohet çdo gjë tjetër. Prandaj, nuk mund ta zvarritin procesin, tash e tutje, duke trajtuar tema të ndara, të cilat mund të zbatohen dhe mund të mos zbatohen dhe që varen nga vullneti i mirë dhe i lirë i cilësdo palë. Tash po flasim për një marrëveshje ndërkombëtare ligjërisht të obligueshme, të cilën do të detyrohen të dyja palët që ta zbatojnë në terren, sepse do ta ketë vulën ndërkombëtare”, ka thënë Hyseni. /Rel/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur i brengosur për…