Hyseni takon ambasadorin Abbott, flasin për dialogun Kosovë-Serbi
Koordinatori shtetëror për dialog me Serbinë, Skënder Hyseni, ka pritur sot në takim ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott, me të cilin ka biseduar për rrjedhën e deritashme të dialogut Kosovë-Serbi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se rëndësi të veçantë ka përkrahja e mëtejme britanike për proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.
“Sot, prita në zyrën time ambasadorin e Britanisë së Madhe, Nicholas Abbott. Bëmë një bisedë të hapur për rrjedhën e deritashme të dialogut Kosovë-Serbi. Duke çmuar lartë kontributin e madh të Britanisë së Madhe në të gjitha fazat e historisë më të re dhe shtetndërtimit në Kosovë, theksova rëndësinë e veçantë që ka përkrahja e mëtejme britanike për proceset nëpër të cilat po kalon vendi ynë. Ambasadori Abbott, nga ana e tij tha se përkushtimi dhe angazhimi i Mbretërisë së Bashkuar, për një marrëveshje të drejt dhe të qëndrueshme që duhet të sjell normalizim të plotë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, është i palëkundshëm”, ka shkruar Hyseni.