Hyseni: Zgjerimi i rrugës ‘Hamdi Kurteshi’ një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore
Po vazhdojnë punimet në zgjerimin e rrugës “Hamdi Kurteshi”, njërit prej projekteve më të mëdha në vlerë 2.4 milionë euro.
E si shkak i punimeve nga dita e mërkurë, më 28 gusht një pjesë e rrugës do të jetë e bllokuar për qarkullim.
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, tha se zgjerimi i rrugës “Hamdi Kurteshi”, është një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për komunën tonë dhe për qytetin e Gjilanit.
Më tej ai shtoi se në vlerë prej 2.4 milionë euro dhe me gjatësi rreth 1 kilometër, po mbulohet shtrati i lumit, respektivisht po përgatitet kolektori me gjerësi prej rreth 5 metrave dhe thellësi prej 2 metrave.
I pari i komunës, tregon se kjo rrugë do të jetë me katër korsi, me trotuar në dy anët e rrugës, me shteg për biçikleta dhe shirit për këmbësorë.
“Aktualisht jemi në fazën ku një segment i rrugës duhet të mbyllet, në mënyrë që të vazhdohen punimet”, tha Hyseni, duke treguar se nga ura ku po vazhdohen punimet tani, deri te kthesa e parë në të majtë rruga do të jetë e bllokuar.
Sipas tij për të mos bllokuar tërësisht qarkullimin është asfaltuar një rrugë alternative.
Përmes saj nga rruga e Malishevës, mund të kalohet direkt në rrugën e Bujanocit, duke mundësuar kështu lidhjen me të gjitha rrugët e qytetit. “Për infrastrukturë moderne, hapësira për këmbësorë dhe siguri në komunikacion”, tha kryetari Hyseni.