Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj deklarohen sërish të pafajshëm
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hysni Gucati dhe nënkryetari i kësaj organizate, Nasim Haradinaj janë deklaruar sërish të pafajshëm para Dhomave të Specializuara.
Me rastin e fillimit të procesit gjyqësor kundër Gucatit dhe Haradinajt, kryetari i trupit gjykues, Charles L. Smith, i ka pyetur të akuzuarit nëse e kuptojnë aktakuzën dhe nëse deklarohen fajtor ose jo.
“I pafajshëm jam plotësisht”, ka thënë Gucati, i cili paraprakisht ka kërkuar ta lexojë biografinë e tij, por nuk është lejuar nga gjykatësi Smith. Ai ka kërkuar nga Gucati që të përgjigjet thjesht me “po” ose “jo” në pyetjet që i bëhen.
Ndërsa Nasim Haradinaj ka thënë se e ka dëgjuar aktakuzën, por nuk e kupton atë.
“Nuk mund as ta kuptoj aktakuzën, por atë që e lexuat ju e dëgjova”, ka thënë Haradinaj.
Aktakuza ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt është konfirmuar më 14 dhjetor 2020. Ajo është mbështetur “në dyshimin e bazuar se midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, Gucati dhe Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, duke penguar punën e kësaj gjykate”.
Krerët e OVLUÇK-së janë arrestuar më 25 shtator të vitit 2020 në Prishtinë dhe që nga ajo kohë gjenden në qendrën e paraburgimit në Hagë. (Kosovapress)