Hysni Gucati kthehet në Kosovë
Ish-kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, është liruar nga Gjykata Speciale në Hagë.
Gjykata Speciale ka aprovuar kërkesën e ish-luftëtarit të UÇK-së, Hysni Gucatit për lirim me kusht nga burgu.
Ai tashmë është rikthyer në Kosovë. Këtë për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar kryetari i OVL-UÇK-së në Skenderaj, Emin Lati.
Ai thotë se “Gucati ka ardhur në Kosovë dhe i njëjti po gjendet në EULEX dhe më vonë pritet t’i bashkohet familjes”.
Dhomat e Specializuara i kishin shpallur fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.
Në dënim do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Ai ishte në paraburgim prej shtatorit të vitit 2020.