
“I afërm i të dyshuarit kryesor për vrasjen e Afrim Bunjakut”, kush janë pelegrinët serbë që u kapën nga Policia?
Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla është deklaruar pas kapjes së 16 serbëve në Prizren dhe Gjakovë.
Sipas Sveçlës, grupi ishte i ndarë në katër automjete me targa të Kragujevcit të Serbisë.
Sipas të dhënave fillestare, ministri në detyrë thotë se dyshohet se këto grupe kishin për qëllim mbledhjen e informacioneve për caqe të mundshme, pasi janë gjetur dëshmi të ndërlidhjes me strukturat e inteligjencës ushtarake serbe si dhe me anëtarë të grupit terrorist të Banjskës.
Gjatë kontrollit të automjetit të grupit të parë, sipas Sveçlës u gjetën fotografi me hartën e Republikës së Kosovës, fotografi të terroristëve të vrarë gjatë sulmit në Banjskë, dy thika, një sopatë dhe një dritë rotative. Me vendim të prokurorit, personat janë ndaluar në kohëzgjatje 48 orëshe.
Sakaq, grupi i dytë me 12 persona, i ndaluar në Prizren, po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë.
“Edhe në këtë grup ishin dy oficerë aktivë të shërbimeve të sigurisë serbe”, deklaroi Sveçla.
Sveça tutje thotë se hetimet paraprake kanë konfirmuar se një zyrtar i policisë serbe me gradë të togerit policor, ka lidhje të afërta familjare me anëtarin e grupit terrorist të Banjskës, Nemanja Radivojeviq, nofka “Gandi”. Ky i fundit është i afërt i Vladimir Radivojeviq, nofka “Mami”, i cili është i dyshuari kryesor për vrasjen e rreshterit policor të Kosovës, Afrim Bunjaku. Zyrtari tjetër ushtarak, i cili bartë gradën e kapitenit të klasit të parë, është lidhje e ish-gjeneralit të inteligjencës ushtarake serbe, Jovan Milanoviq, i njohur për përfshirjen në rrjedhjen e të dhënave të NATO-s para bombardimeve mbi caqet serbe.